Ish-presidenti i SHBA Donald Trump tha të mërkurën se kishte refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve të Prokurores së Përgjithshëm të shtetit të Nju Jorkut, Letitia James në një hetim civil mbi praktikat e biznesit të familjes së tij.
“Refuzova t’u përgjigjem pyetjeve, në bazë të të drejtave dhe privilegjeve që gëzon çdo qytetar sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara,” tha zoti Trump në një deklaratë, duke iu referuar Amendamentit të Pestë të Kushtetutës, sipas së cilit qytetarët kanë të drejtën të mos dëshmojnë për të shmangur vetë-fajësimin.
Prokurorja e Përgjithshme e Shtetit të Nju Jorkut Letitia James po heton nëse ish-presidenti i ka ekzagjeruar vlerat e pasurive të paluajtshme të kompanisë së tij duke mashtruar huadhënësit dhe autoritetet tatimore, për të përfituar financiarisht.
Zoti Trump dhe djali i tij Donald Trump Jr. dhe vajza Ivanka Trump, kishin kërkuas të mos dëshmonin, por kërkesa e tyre u hodh poshtë. Sipas burimeve me dijeni për këtë çështje, Donald Jr. dhe Ivanka, kanë dëshmuar ditët e fundit.
Ish-presidenti mbërriti në zyrat e Prokurores së Përgjithshme me një autokolonë pak para orës 9 të mëngjesit dhe pas një ore njoftoi se kishte refuzuar të dëshmonte.
Në deklaratën e tij, zoti Trump tha se dikur kishte ngritur pyetjen se pse duhet ta përdorë Amendamentin e Pestë dikush që është i pafajshëm.
“Tani e di përgjigjen për këtë pyetje. Kur familja jote, kompania jote dhe të gjithë njerëzit përreth teje, bëhen objekte të një gjuetie shtrigash të pabazuar politikisht, të mbështetur nga avokatë, prokurorë dhe mediat e lajmeve të rreme, nuk ke alternativë tjetër”, tha ai.
Vendimi i zotit Trump vjen vetëm dy ditë pasi agjentët e FBI-së kontrolluan rezidencën e tij në Mar-a-Lago të Floridas, si pjesë e një hetimi tjetër federal lidhur me të dhëna të klasifikuara sekret që ai mund t’i ketë marrë me vete kur u largua nga Shtëpia e Bardhë.
“Kompania ime e madhe dhe unë jemi duke u sulmuar nga të gjitha anët. Republikë bananesh!” kishte shkruar ish-presidenti Trump më herët në rrjetin e tij social Truth Social.
Zyra e zonjës James dhe avokati i zotit Trump, nuk kanë komentuar.
Në maj, zyra e Prokurores James tha se hetuesit kishin grumbulluar prova të konsiderueshme që mund të mbështesin veprime ligjore kundër zotit Trump, kompanisë së tij ose të dyjave.
Dëshmia e ish-presidentit ishte një nga pjesët e pakta që i mungonin hetimit, tha zyra e saj.
Prokurorja James, një demokrate, ka thënë në dosjet gjyqësore se zyra e saj ka zbuluar prova “të rëndësishme” se kompania e zotit Trump “ka përdorur vlerësime mashtruese të pronave për përfitime ekonomike, përfshirë hua, sigurime dhe zbritje taksash. ”
Ish-presidenti Trump i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se hetimi i zonjës James është i motivuar politikisht dhe përbën ndërhyrje në marrëdhëniet e tij të biznesit dhe në procesin politik.
Pasi të përfundojë hetimin, prokurorja James mund të vendosë të ngrejë padi dhe të kërkojë ndëshkime financiare kundër zotit Trump ose kompanisë së tij, apo edhe ndalimin e përfshirjes së tyre në biznese të caktuara.
Ndërkohë, zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit ka ndërmarrë prej kohësh një hetim tjetër penal./VOA