Vlerësimi i María Corina Machado nga Venezuela me Çmimin Nobel për Paqen, ishte një zhgënjim për presidentin amerikan, Donald Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, vazhdimisht ka pohuar se e meriton të vlerësohet me këtë titull prestigjioz, pasi sipas tij, ka ndalur 7 luftëra në botë. Dhe nuk mund të mungonte reagimi i presidentit Trump.
Në një deklaratë për mediat në Zyrën Ovale, Donald Trump, tha se udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, e ka telefonuar pasi u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen.
Sipas Trump, Machado i tha atij se ajo “po e pranonte këtë në nderin tënd, sepse ti e meritoje vërtetë”.
“Personi që në fakt e mori Çmimin Nobel më telefonoi dhe më tha: ‘Po e pranoj këtë në nderin tënd sepse e meriton vërtet.’ Një gjë shumë e mirë për t’u bërë. Ishte shumë e sjellshme. Dhe unë e kam ndihmuar gjatë gjithë rrugës. Ata kanë nevojë për shumë ndihmë në Venezuelë. Jam i lumtur sepse shpëtova miliona jetë”.
“Ia dedikoj çmimin popullit që vuan nga Venezuela dhe Presidentit Trump për mbështetjen e tij vendimtare ndaj kauzës sonë!”, shkroi Machado në një postim në platformën X.
Trump është një kritik i ashpër i Maduros dhe SHBA-të janë një nga një numër vendesh që nuk e njohin qeverinë e tij.