Trump merr një surprizë nga Cristiano Ronaldo gjatë samitit G7

Nje moment i pazakontë por plot simbolikë ndodhi gjatë samitit të Grupit të Shtatë (G7), kur presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i dorëzoi presidentit amerikan Donald Trump një fanellë të ekipit kombëtar të Portugalisë, me numrin ikonik 7 dhe të firmosur nga vetë Cristiano Ronaldo.

Takimi mes dy liderëve ndodhi gjatë një sesioni privat në Kananaskis të Albertës, ku Costa, në rolin e tij të ri si përfaqësues i Bashkimit Europian – solli një dhuratë me mesazh të veçantë:

“Për Presidentin Donald J. Trump! Luajmë për paqe”, shkruhej në fanellën e Ronaldos.

Costa e lexoi me zë të lartë dedikimin përpara se t’ia dorëzonte fanellën Trump-it, i cili u duk i kënaqur me gjestin dhe reagoi me një buzëqeshje duke thënë:

“Më pëlqen. Luajmë për paqe.”

Ky gjest i thjeshtë por domethënës u përshëndet si një moment simbolik, që lidh sportin, diplomacinë dhe dëshirën për bashkëpunim ndërkombëtar në një periudhë të trazuar globale.


Shtuar 17.06.2025 17:31

Tags: ,