Trondit xhaxhai i Ervis Martinajt: Rama të nxjerrë kufomën e nipit tim

Ndërsa zhdukja e Ervis Martinajt mbetet një mister, xhaxhai i tij, Faik Martinaj, po trondit opinionin publik me deklaratat që ka bërë sot në emisioni  “Pa Gjurmë” në Report TV.

Gjatë transmetimit live, ai në lidhje telefonike hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai fshihet pas zhdukjes së Martinajt dhe i bëri thirrje publike të nxjerrë xhenazen që nipi i tij të ketë një varr.

Intervista e transmetuar u publikua në webin e televizionit, por më pas u fshi. Njësoj u veprua dhe me videon në YouTube.

Megjithatë, pjesë nga intervista tashmë janë zbardhur.

Pjesë nga intervista:

Gazetarja: Po diskutojmë për Ulvi Skanën që ka humbur dhe dyshohet se ka lidhje zhdukja e tij me nipin tuaj, Ervis Martinaj. Ju keni deklaruar në polici, keni thënë se mesazhin e fundit jua dërgoi rreth orës 7 të pasdites në 9 Gusht.

Faik Martinaj: Rreth orës 7 e 23 minuta të pasdites, të darkës.

Gazetarja: Çfarë ju shkruante në atë mesazh?

Faik Martinaj: Asgjë. Kurrgjë. Kujdesuni nga shtëpia, kaq.

Gazetarja: Thjesht ju përshëndeti?

Faik Martinaj: Ne e dinim, se ne na e ka dhanë mesazhin ky kryeministri i Shqipërisë, fatkeqësi kombëtare, kryekrimineli i kombit shqiptar, Edi Rama na e ka dhënë mesazhin që në fushatën e vitit të kaluar, që i ka thënë se “i them atij drejtorit të basteve” dmth që atëherë na ka kërcënu, se “ia dimë targën e makinës” e kështu dmth. Unë e di zhdukjen e nipit tim, është kryeministri, organizatori është kryeministri Edi Rama me bandat e tij edhe me gjithë oligarkët që i kanë interesat nga bregdeti i jugut. Kryesori, kryekrimineli i zhdukjes së nipit tim. Se hasmi të vret, nuk të zhduk kufomën.

Ndërhyn gazetarja: Zoti Faik! Zoti Faik! Unë kam dëgjuar edhe deklaratat e kryeministrit tonë Edi Rama që shkaktoi drejtorin e policisë se pret nga policia një version zyrtar.

Faik Martinaj: Po se nuk i intereson me e zbulu. Se ishin veglat e tij. Ky ishte iniciatori. Ky ishte organizatori i zhdukjes. Shiko, hasmi të vret, nuk e zhduk kufomën. Këtë, vetëm shteti, një SpiroKolekë i dytë dmth i zhduk kufomat.

Gazetarja: Pra ju besoni se nipi juaj është vrarë?

Faik Martinaj: 100% 100%, e di kryeministri këtë punë

Gazetarja: Për zhdukjen e nipit tuaj ka pasur deklarata nga kryeministri aktual që e ka komentuar, por edhe nga ish-kryeministri Berisha.

Faik Martinaj: Nuk i kam dëgjuar deklarimet e ish-kryeministrit Berisha, por (ndërhyn gazetarja: Dëshironi t’ua them edhe unë) por kam dëgjuar që në zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar kam dëgjuar kryekriminelin, kryeministrin aktual, kryekriminelin (ndërhyn prap gazetarja: Zoti Faik!) edhe që ka deklaruar para mijëra mijëra mijëra qyetarëve në mitingje që “unë i them atij drejtorit se ne ia dimë targën e makinës”, pra ne na e ka kallzu që do t’jua zhduk.

Gazetarja: Po të lutëm Zoti Faik! Ju më deklaruar se janë gjashtë banda, ju e dini që nipi juaj…

Faik Martinaj: Bandat e Edi Ramës, ata që kanë zaptu bregdetin e jugut, bandat e Edi Ramës, i din Edi Rama, e din, krimineli e din, kryekrimineli është Edi Rama.

Gazetarja: Nipi juaj është zhdukur që në datën 9 gusht zoti Faik dhe një pjesë e mirë e miqve të tyre, janë vrarë dhe ekzekutuar dhe vetëm para disa kohëve është ekzekutuar edhe familjari juaj Brilant Martinaj. U eleminuan edhe miqtë dhe në fund ai u zhduk.

Faik Martinaj: Të gjitha, të gjitha janë…

Gazetarja: Mendoni se kemi të bëjmë me bandat e tjera që mund të jenë hakmarrë?

Faik Martinaj: Jo, jo, bandat janë të Edi Ramës. Të gjitha këto. Është iniciatori, është ideatori i të gjithave. Skenari është i Edvin Kristaq Rama, krimineli i kombit.

Gazetarja: Por hetuesit po punojnë dhe të marrin në pyetje kundërshtarët e Ervis Martinajt dhe Brilant Martinajt. Ata rezultojnë jashtë fatkeqësisht. Mendoni se shteti i ka eleminuar këto të gjithë ndër vite? Saga e vrasjeve ka nisur në 2018.

Faik Martinaj: Moj motër, Edi Rama i ka qit prej burgut të përjetshëm. Leji ça rrenash fliten. Ky është mjeshtër. Shiko, kundërshtari, hasmi të vret, nuk ka me të zhduk xhenazen.

Gazetarja: Mendoni se është vrarë dhe kufoma është fshehur.

Faik Martinaj: Me porosi të Edi Ramës.

Gazetarja: Me pak fjalë kështu është shprehur edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Faik Martinaj: Kryeministri me gjithë oligarkët e bregdetit.

Gazetarja: Zoti Faik, por çështja është kthyer në politike, kanë folur edhe kryeministri aktual edh eish-kryeministri. Z.Berisha thotë se është vrarë nipi juaj dhe kufoma mbahet peng. Nga ai e keni mësuar këtë?

Faik Martinaj: Jo, jo, jo, jo!

Gazetarja: Po nga e keni mësuar?

Faik Martinaj: Po e di unë se në fushatën e prillit të vitit të kaluar, na ka thënë. Ka dalë në miting dhe e deklaroi: “Unë i them atij drejtorit të basteve…” Po deshe e kam këtu videon ta çoj në ëhatsapp, por deshe ta çoj. “Unë i them atij drejtorit të basteve, betohet, unë ia di targën e makinës, edhe në brimë të miut po u fut, ne do të të gjejmë”. Edhe e gjeti. Ashtu siç deklaroi edhe e bani, e gjeti. Dëgjo motër, hasmi nuk ka interes me të zhduk xhenazen dhe kufomën, mua baba nuk më ka lënë hasmëri me askënd. Kurse ky qafiri i kombit, Edvini (ndërhyn gazetarja: Të jemi pak korrektë se jemi në transmetim direkt) Edi Rama…

Gazetarja ndërhyn sërish: Nuk e mendoni pistën se miqtë e tij u eliminuan dhe ai mund të jetë zhdukur vetë?

Faik Martinaj: Jo moj, ca është zhduk, e ka thënë Edi Rama që në zgjedhjet e kaluara…na ka thënë do t’ju eliminoj…

Ndërhyn gazetarja: E mendoni këtë pistë? Duhet të presim, se ende nuk është zbardhur, të presim nga policia e shtetit.

Faik Martinaj: Dëgjo! Me gjithë konsoderatën për policinë se unë kam punu ca vite në polici të shtetit, nja dhjetë vite. Me gjithë konsideratën që kam për drejtorin e policisë së shtetit, por nuk e len kush. A e kupton? Nuk e len kush. Se janë të gjithë të kapur nga Edi. Nuk i len ai. E kupton? Ai kundërshtarët politikë…

Ndërhyn gazetari Sokol Dema: Policia ju ka dhënë një verdikt, një provë përderisa jeni kaq i bindur? Dispononi ndonjë provë?

Faik Martinaj: Prova është Edi Rama, që na ka dhënë deklaratën në fushatën e kaluar. Na ka thënë “edhe në vrimë të miut, ne jua dimë targën e makinës”. Ky është ideatori, ky është iniciatori, ky është me bandat e tij, ky është me oligarkët që ka zaptu bregdetin e jugut, janë interesa. Këtë edhe budallai e kupton… por ai ka të drejtë me fol, ne s’kemi të drejtë me fol. Ai të prangos, ai të vret, ai ta zhduk kufomën, ai t’i bën të gjitha. Unë do t’i bëj thirrje nëpërmjet emisionit tuaj: Të paktën xhenazen nxirre, të ketë një varr!


Shtuar 29.11.2022 20:13