Tritoli në banesën e Dukës, luftë mes klaneve kriminale, pistat ku po heton policia

Policia e Tiranës po heton disa pista në lidhje me motivet dhe autorët që fshihen pas vendosjes se tritolit në derën e banesës së Muhamet Dukës në orët e para të mëngjesit sot në zonën e Freskut në Tiranë.

Muhamet Duka është babai i Leonard dhe Elis Dukës. Leonard Duka u arrestua pak kohë më parë, ndërkohë që dy vëllezërit ishin shpallur në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos në 2019-ën. Santiago Malko ishte njeri i besuar i Ervis Martinajt, ndërsa dy vëllezërit Duka njihen nga policia si kundërshtarë të Martinajt. Burime për Report TV bëjnë me dije se prej katër vitesh Muhamet Duka nuk jetonte me bashkëshorten në banesë. Për t’u kujdesur për banesën kishte lënë një tjetër njeri, të cilin policia akoma nuk e ka gjetur për ta marrë në pyetje.

Nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar, vetëm dëme materiale. Sasia eksplozive ka qenë e vogël, por fakti që ka shpërthyer në ambient të mbyllur ka shkaktuar dëme tek ashensori dhe dyert e banesave përreth.

Në pyetje nuk është marrë as Muhamet Duka pasi nuk dihet se ku është. Janë pyetur vetëm banorë të pallatit dhe fqinjë, por asnjë nuk ka dhënë dëshmi të vlefshme pasi kanë deklaruar se kanë qenë në gjumë dhe kanë dëgjuar vetëm shpërthimin e fuqishëm. Policia, përveç pistës së një paralajmërimi, dyshon se ngjarja mund të jetë edhe e stisur, nisur kjo nga arrestimi i Leonard Dukës në Belgjikë pak javë më parë dhe si një përpjekje për të mos u ekstraduar mund të jetë përdorur kjo taktikë.

Kreu i klanit ‘Duka’, një ndër autorët e përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019, u arrestua më 14 shkurt në një provincë të Brukselit në Belgjikë. 37-vjeçari, i shumëkërkuar ndërkombëtarisht, për krime kundër personit dhe për armëmbajtës pa leje, u arrestua, teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit, vendndodhja e të cilit u zbulua nga Fast Albania, që informuan më pas Fast Belgjikën.

Leonard Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal. Leonard Duka dyshohet se është një nga autorët e vrasjes së Santiago Malkos, të ndodhur në gusht të viti 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë. Interpol Tirana po vijon punën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë./albeu.com/


Shtuar 18.04.2023 09:46