Tritoli në banesën e biznesmenit në Shkodër, identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 autorët (EMRAT)

Një sasi tritoli shpërtheu ditën e djeshme në derën e garazhit të 52-vjeçarit shkodran, Agim Uraj. Policia njofton se ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe ka bërë identifikimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes.

U bë shpallja në kërkim e tyre dhe vijon puna për kapjen e dy shtetasve.

Siç bëjnë me dije blutë, autorët e dyshuar ishin shpallur edhe më herët në kërkim për ngjarje të tjera kriminale.

“Strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të DVP Shkodër dhe me Prokurorinë e Shkodrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “10 Korriku”, Shkodër, ku në derën e garazhit të automjeteve, në pronësi të shtetasit A. U., shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe identifikimi i 2 autorëve të dyshuar të saj. Gjithashtu, nga këto veprime dyshohet se 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes, me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Kështu u bë shpallja në kërkim e shtetasve  Seadet Myftia, 27 vjeç dhe Zabit Mehmedaj, 27 vjeç, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Vjedhja”.

Sakaq ditën e djeshme, pronari i banesës, Agim Uraj deklaroi se nuk kishte konflikte me askënd./Albeu.com.


Shtuar 30.06.2023 09:47