VIDEO/ Tritol, granata dhe armë zjarri, arrestohet shkodrani: Ua shiste personave me precedent kriminal

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 68-vjeçar të cilit i ka sekuestruar dhjetëra kallëpe me lëndë shpërthyese tritol, armë zjarri, granata, ndezës granatash dhe fitil zjarrpërcjellës.

Në momentin e arrestimit, i moshuari u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë narkotike që kishte kultivuar në afërsi të banesës së tij.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Konglomerat”, u bë arrestimi i shtetasit Gj. M., 68 vjeç, banues në fshatin Gimaj, Shkodër.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 31 kallëpe tritoli, 110 metër fitil zjarrpërcjellës, 18 granata dore dhe 13 ndezës të unifikuar.

Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë asgjësuan me anë të djegies, 120 bimët narkotike të kultivuara në afërsi të banesës së 68-vjeçarit, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore./Albeu.com

 


Shtuar 18.09.2023 10:13