Tritol atentate e aksidente tragjike, zhvillimet më të rëndësishme të kësaj jave në vend

Asnjë ditë nuk është e qetë në vendin tonë. Kjo javë po ashtu ka pasur zhvillime të rëndësishme në fushën e politikës dhe ngjarje të rënda të cilat po cenojnë çdo ditë e më shumë sigurinë e qytetarëve. Albeu.com, më poshtë, ju sjell disa nga zhvillimet më të rëndësishme në vend.

Aksidente

Dita e hënë nisi me një aksident tragjik në Berat, ku një mjet tip “ML” humbi kontrollin dhe ra në lumin Osum. Për pasojë ndërroi jetë  25-vjeçarja Klaudia Xhaferaj dhe djali i saj, 6 vjeç. Burimet zyrtare të policisë kanë dalë në përfundimin se, shkak për aksidentin e rëndë është bërë “pakujdesia në drejtimin e mjetit” nga vetë 25-vjeçarja, e cila kishte bërë fillimisht një parakalim të gabuar dhe më pas kishte humbur kontrollin e mjetit, duke u përplasur me kangjellat e rrugës e duke rënë në lumë.

Atentat

Mbrëmjen e djeshme, në Mirditë iu bë atentat me armë zjarri ku mbeti i plagosur Martin Prenga.  Sot, policia vuri pranga autorin,  dërsa proceduan në gjendje të lirë vëllain e tij, i cili e ndihmoi të largohej nga vendi i ngjarjes. Policia ka bërë të mundur sekuestrimin e armës së zjarrit tip pistoletë e cila dyshohet se është përdorur për plagosjen. Autori i ngjarjes dhe vëllai e tij janë identifikuar si Florin dhe Altin Gjoka. Sipas “bluve” Florin Gjoka ka tentuar ta vrasë 51-vjeçarin, por plumbat e kanë kapur nga këmbët duke e plagosur rëndë.

Projektligji për legalizimin e kanabisit mjekësor dhe reagimet

Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.

Në bazë të ligjit, në Shqipëri do të krijohet Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale dhe Prodhimit të Nënprodukteve të saj. Agjencia do të jetë institucioni përgjegjës për monitorimin e zbatimit të parashikimeve të këtij ligji në lidhje me kontrollin dhe mbikëqyrjen e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit si dhe prodhimit të nënprodukteve të saj. Ky lajm ka sjellë reagime të shumta nga opozita, të cilët e cilësojnë si vendim të gabuar pasi do të kanabizojë vendin. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se Rama, me këtë vendim, do të bëjë vendin Escobar të Europës. Ndërsa vetë kryeministri u shpreh se në vazhdim, mund edhe ta legalizojnë për përdorim vetjak.

I nxehti afrikan

Vendi ynë ditët e fundit është pushtuar nga i nxehti afrikan. Ky muaj nis i nxehtë, megjithëse kemi vetëm 1 gradë rritje të vlerave termike, temperaturat janë tashmë mjaft të larta në territor, përjashtuar ato të mëngjesit. Në zonat malore mëngjesi i sotëm është mjaft i freskët, ku vlera minimale është 14°C. Ndërsa në zonat e ulëta dhe bregdetare termometri luhatet 18-24 gradë celsius vlera minimale. Ndërkohë në zonat e tjera, temperaturat kanë arritur vlerën deri në 40 gradë celsius. Edhe ditët në vijim, kushtet e motit do të jenë po njësoj, madje duke tejkaluar temperaturat 40 gradë./albeu.com