Tritan Shehu: Berisha e mban të bashkuar PD-në, largimi i tij sjell pasoja shumë të rënda, regjimet s’shemben me votë, por me lëvizje popullore

Tritan Shehu, deputeti më jetëgjatë i Kuvendit, denoncon mazhorancën e qeverisë për tjetërsim të vullnetit të shqiptarëve më 11 maj.

Sipas tij, regjimi i instaluar në Shqipëri nuk përmbyset me votë, por me lëvizje popullore.

Deputeti i qarkut të Gjirokastrës, thotë për gazetën “Panorama” se, me 11 maj nuk kishte zgjedhje të lira, por masakër zgjedhore.

Shehu tregon se çfarë ndikimi kanë pasur te ndërkombëtarët denoncimet e vjedhjes së votës. Ai flet edhe për hapat e ardhshëm të opozitës për t’i siguruar Shqipërisë një proces të ndershëm zgjedhor.

Tritan Shehu, u përgjigjet edhe zërave për dorëheqjen e Sali Berishës nga drejtimi i PD-së se largimi i tij, do të kishte pasoja të rënda pasi e mban të bashkuar Partinë.

Tritan Shehu shpreh bindjen se Sali Berisha sot është i domosdoshëm në krye të PD-së e opozitës në vend.

Z.Shehu, më 11 maj PD-ja, përveç zgjedhjeve, a humbi edhe besimin e shqiptarëve, të cilët nuk e rikthyen as kësaj here në pushtet?

Para se t’i përgjigjesh kësaj pyetje duhet t’i përgjigjesh pyetjes pararendëse: A ishin këto zgjedhje të lira e të ndershme? Rezultati i tyre a shpreh vullnetin e votuesve, apo ishin të deformuara? Dhe pastaj mund të shkosh te pyetja e juaj. Kështu do ta filloj dhe unë nga duhet filluar.

Këto zgjedhje nuk ishin as të lira, as të ndershme, e rezultati i tyre nuk reflekton vullnetin e votuesve, qoftë këta brenda Shqipërisë qoftë jashtë vendit. Besoj se ju po i ndiqni faktet, provat që përditë PD e Berisha po publikojnë për deformimin e thellë të këtij procesi zgjedhor. Besoj se e lexuat raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it me ato probleme madhore që ai ngre. Ju i keni ndjekur rezolutat e partive të qendrës e të djathta për atë proces. Do ketë edhe më shumë fakte e prova të tilla. Pra, ishte një proces i imponuar, deformuar nga regjimi ky, dhe si i tillë, rezultati nuk ka të bëjë aspak me vullnetin e qytetarëve.

Opozita e konsideron të pavlefshëm rezultatin zgjedhor ndërkohë nga rinumërimi i votave pati vetëm ndryshime minimale për PD dhe PS dhe nuk ndikohen mandatet…

Unë kur flas për deformim të procesit, por jo vetëm, si edhe OSBE, nuk e kam fjalën thjeshtë për atë proces të 24 a 48 orësh të fundit të votimit e numërimit, megjithëse dhe për atë proces dolën probleme serioze së fundmi, si p.sh. në Fier. E kam fjalën për një proces të gjerë zgjedhor, jo thjeshtë votimi teknik, nën një regjim. Besoj se sot askush nuk ka dyshime se në Shqipëri është instaluar një regjim, autokraci, që po shkon drejt diktaturës. Ju e shikoni çfarë po ndodh me veprimet arbitrare, antiligjore të Edi Ramës edhe ditët e fundit, me pushtetin vendor e deri tek AKU.

Dhe ky regjim i kthyer në parti-shtet përdori gjithçka për deformimin e votës, duke krijuar një masakër elektorale. Përdori paratë, krimin, drogën, policinë, presionin mbi administratën, mbi biznesin. Përdori mashtrimet joshëse, vendet e punës fiktive, paratë e buxhetit për të gënjyer pensionistët, ata në nevojë, investime elektorale, etj. etj.. Pra, përdori të gjithë makinën shtetërore, kriminale, korruptive etj. Dhe këto i shkruan edhe raporti i OSBE. Pra, u përdor i gjithë arsenali që përdorin regjimet për të deformuar vullnetin e qytetarëve në votim, sepse të tilla janë regjimet.

Por që nuk e rrëzuat dot me votë…

Regjimet nuk shemben me votë. Ky është një rregull i njohur, sepse ata tjetërsojnë rezultatet. Pra, rezultati, si përgjigje e pyetjes suaj të parë, nuk shpreh vullnetin e qytetarëve nën një regjim. Kështu ndodhi edhe në vendin tonë. Por kështu ndodhi dhe me votën e diasporës, veçanërisht në Greqi. Ju u njohët me faktet e asaj që ndodhi aty. Ishte skandaloze në të gjitha drejtimet. U shkelën edhe kontratat me DHL, zarfet nuk u shpërndanë te qytetaret, u falsifikuan etj..

Atëherë pse u futët në zgjedhje?

E lehtë sot të bësh këtë pyetje. Por diçka duhet të kuptojmë, bojkotet në përgjithësi, veçanërisht në kushtet tona janë dëmtuese, shkatërruese. Në qoftë se ne nuk do të kishim marrë pjesë ne atë proces, a mundet sot të ngrinim këto probleme të procesit, masakrën ndaj tij? A do të kishte një raport të OSBE-së si ky që kemi me probleme thelbësore? Jo nuk do të kishim. I gjithë faji e përgjegjësia do të ishte mbi PDnë. Sot do të ishim jashtë çdo mundësie veprimi.

Në fakt, ne kemi një eksperiencë shumë të hidhur nga bojkotet. Dorëzimi i mandateve ishte një gabim fatal i PD-së, që i hapi rrugën Ramës për të ndryshuar kodin elektoral, për të përvetësuar të gjithë pushtetin lokal, drejtësinë me pasoja të thella negative edhe aktuale. Unë e kam theksuar disa herë se një veprim i tillë nuk mund të ishte vetëm një gabim, ishte pjesë e komplotit, që u shpalos e vazhdon kundër PD-së, Berishës, pluralizmit shqiptar.

Ju flisni për komplot, edhe për “non grata” e Berishës sipas jush është pjesë e tij?

Absolutisht po! Ajo që u zhvillua e po zhvillohet edhe sot me atë proces farse ndaj Berishës është një komplot i vërtetë i realizuar në Shqipëri e jashtë saj, që synonte e synon t’i japë Ramës të gjithë pushtetet, të krijojë një opozitë fasadë. Pa dyshim me “shkopin e dirigjentit” të atyre që e orkestruan atë. Ju i keni ndjekur zhvillimet për thelbin politik të “non grata” të Berishës, izolimin e tij për mbi një vit, tentativat për të nxjerrë jashtë ligjit PD-në duke i rrëmbyer simbolet, emrin etj., dhe vazhdon e sot. Fatmirësisht shumë faktorë ndërkombëtarë kanë ndryshuar së fundmi dhe tashti “non grata” realisht nuk ekziston më, simbolet i fituam, Berisha është i lirë, pavarësisht inskenimeve të reja ndaj tij. Dhe kjo ndodhi në saj të rezistencës së PD-së e stoicizmit të Berishës, që kjo parti arriti të shpëtojë nga shpërbërja ku donin ta çonin, e sot lufton me të gjitha forcat për rivendosjen e demokracisë.

Dhe cila është zgjidhja?

Duhet çarmatosur regjimi nga mjetet që përdor për deformimin e votës, për t’i hapur rrugë një procesi të lirë e të drejtë votimi, pikërisht që rezultati të shprehë vullnetin e qytetarëve. Atëherë mund t’i përgjigjesh pyetjes suaj të parë.

Pra, së pari, duhet përballuar regjimi me lëvizje popullore. Unë këtë e kam shprehur qartë shumë më parë. Dhe më tej votimi mund të jetë i drejtë.

Po sot nga duhet ta rifillojë PD-ja? A duhet të ketë një proces analize brenda saj?

Duhet ta fillojë nga kjo që po zhvillon. Demonstrimi, faktimi i të gjithë çrregullimeve shkatërruese të procesit zgjedhor. Paraqitja e tyre para opinionit shqiptar, institucioneve ndërkombëtare që të gjithë të kuptojnë gravitetin e gjendjes politike në vendin tonë. Shqipëria është vend anëtar i NATO-së, në rrugën e integrimit europian, gjë që nuk mund të lerë në indiferencë partnerët tanë për atë që po ndodh këtu. Materialet janë paraqitur, të tjera po mblidhen e do të paraqiten duke krijuar kudo se paku një interes të veçantë e deri tek reagimet e qarta shqetësuese, që ju i dini. Pra, po kryhet një proces i tërë voluminoz në këtë drejtim. Ju flisni për analiza në PD. Pa dyshim që do të ketë. Por mbi bazën e asaj që ka ndodhur, të vërtetës që po del gjithmonë e me qartë. Edhe analiza, edhe konkluzione për punën tonë do të ketë, pa asnjë dyshim. Por sot PD e Berisha janë përfshirë totalisht në procesin e demonstrimit të krimit zgjedhor.

Pas humbjes së 11 majit, ka zëra se Berisha duhet të lërë drejtimin e PD-së…

Edhe këtu pyetja e parë është a ishin zgjedhje të vërteta apo ishin një farsë zgjedhore? Dhe në bazë të kësaj arrihet të pyetja juaj. Kjo është shumë e rëndësishme. Më lart unë argumentova se ishin farsë, pra dhe qëndrimi duhet mbajtur si për diçka të tillë. Në këto kushte nuk shtrohet çështja e dorëheqjes së Berishës. Por ka dhe më shumë. Në këto kushte regjimi, revanshi antidemokratik të Ramës e të tij, çfarë efekte pozitive do të sillte një largim i supozuar i Berishës nga drejtimi i PD? Jo vetëm asnjë, por do të kishte efekte shumë të rënda negative për PD, pluralizmin shqiptar, demokracinë.

Berisha është faktori kryesor i çlirimit të PD nga ai komplot që folëm më lart, faktori kryesor sot i demaskimit të farsës zgjedhore, faktori kryesor i mbajtjes së bashkuar të militantëve, anëtarëve, PD në tërësi e i frymëzimit për të qëndruar e përballur me regjimin. Kjo është e vërteta, mos të kemi iluzione. Berisha sot është i domosdoshëm në krye të PD-së e opozitës sonë. Çdo largim i tij do të sillte efekte shumë të rënda negative. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë ata që pa u thelluar deklarojnë ndryshe. Se sa për ata që duan Ramën si Sulltan, është e kuptueshme që do të nxisin për largimin e Berishës nga drejtimi.

Nisur nga kjo situatë, a duhet të rinovohet Partia Demokratike?

Absolutisht ka vend për rinovim. Dhe PD e ka bërë në vazhdimësi. Ashtu si ka nevojë për bashkëjetesë brezash, profesionesh, eksperiencash, gjinore, idesh brenda programit tonë etj.. PD është një parti e madhe, e hapur, që në forumet drejtuese të saj, si Këshilli Kombëtar, grupi parlamentar ka shumë të rinj të aftë e më perspektivë. Ky është një proces fiziologjik, që nuk duhet konsideruar si luftë brezash, që do ishte shkatërrues. Ta kthesh të tillë do të thotë se paku ta transformosh në një proces diskriminues e dëmtues të rëndë.

Ne kemi nevojë të zgjerohemi në të gjitha fashat e popullsisë, jo të përjashtojmë të tilla. Të punojmë të gjithë së bashku për t’iu kundërvënë këtij regjimi, i cili nga autokracia po shkon në diktaturë dhe që nuk është e lehtë për ta përmbysur. Prandaj duhet të jemi të qartë në këtë, pikërisht për të shtuar forcën përballë regjimit, që të mund t’i hapim rrugë një procesi të ndershëm zgjedhor.

Ju jeni deputeti më jetëgjatë në Kuvend. Çfarë ju mban ende aktiv në politikë?

Unë jam deputet që nga parlamenti i parë i 1991. Unë vij në politikë nga universiteti e spitali, duke u bërë pjesë e lëvizjes demokratike që në orët e para të saj, duke qenë në atë kohë mjek e drejtues i një nga departamentet universitare më të rëndësishmE klinike. Dhe gjithë ky aktivitet politik më bën realisht shumë krenar, ashtu si më bën dhe aktiviteti im universitar, mjekësor, shkencor në vazhdimësi.

Në lidhje me sa me pyesni, jam i vendosur të qëndroj aktiv në politikë për aq kohë sa perëndia të më japë shëndet e mundësi. Sot mendoj se është koha për të vazhduar të qëndrosh, të marrësh pjesë. Dhe kjo realizohet në shumë mënyra, edhe në qoftë se nuk do isha deputet përsëri, do të isha aktiv në politikë. Sot më shumë se kurrë, ashtu si më 1990-91 kërkohet pjesëmarrja e të gjithë atyre që aspirojnë në një Shqipëri demokratike, europiane, të zhvilluar e të lirë nga sulltanatet. Ne fatkeqësisht nuk e kemi luksin të tërhiqemi, të qëndrojmë të qetë në shtëpitë tona, kur vendi po shkon drejt katastrofës më të thellë në të gjitha aspektet. Ky është qëndrimi im, këto janë bindjet e mia, për të cilat do të luftoj sa të kem mundësi.

Ju jeni zgjedhur për të tretën herë deputet i Qarkut të Gjirokastrës. Sa e vështirë është që një deputet i opozitës t’iu përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve?

Për të qenë shumë i qartë dua të them se për një deputet të opozitës nën një regjim si këtu, është shumë e vështirë të ndihmojë konkretisht njerëzit në zonën e tij. Regjimi nuk krijon hapësira për punën normale të deputetit të opozitës. Dhe kjo me jep një keqardhje të thellë duke parë si është katandisur ajo popullsi fisnike, vlerash, kulture e atij Qarku, si janë katandisur e degdisur institucionet e tij, universiteti, spitalet, si është shkatërruar ekonomia. Dhe mbi të gjitha si shkelen çdo ditë të drejtat e qytetarëve. Dhe është e vështirë të influencosh konkretisht për individin nga nëpërkëmbja që i bën regjimi. Dhe kjo të trishton fort.

Por unë përpiqem të ruaj marrëdhëniet njerëzore me ata njerëz të rrallë nga vlerat, të ngre vazhdimisht problemet e tyre në Kuvend, media, kudo ku mundem, qoftë edhe përballë shurdhësisë se regjimit. Përpiqem t’i ndihmoj sa mundem me profesionin tim si mjek, me kolegët e mi që janë gjithmonë të gatshëm të më përgjigjen e unë i falënderoj shumë për ketë. Pra, kryesisht për problemet e shëndetit. Sot në këtë gjendje të rëndë të shërbimit shëndetësor kujdesi për çdo të sëmurë merr rëndësi të veçantë. Dhe unë këtë përpiqem ta bëj, duke qenë natë e ditë i gatshëm për të ndihmuar ata banorë, që i falënderoj shumë, pavarësisht nga gjendja sociale, përkatësia politike etj. Përballë shëndetit nuk mund të ketë diferenca.


Shtuar 7.07.2025 09:54