“Treni bullgar” doli nga shinat/ Celibashi reagon pas denoncimit të Berishës për fletët e votimit të gjetura në lokalin e vëzhguesit të PS: Të hetohet nga organet kompetente, KQZ s’ka dijeni

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka reaguar pas deklaratave të Sali Berishës, për manipulim zgjedhor në Elbasan me të ashtuquajturin “tren bullgar”.

Në një konferencë për shtyp, Berisha dhe kandidati i PD për deputet në Qarkun e Elbasanit, denoncuan me video rastin ku në ambientet e një lokali janë gjetur lista zgjedhësish, karta identiteti fletë votimi të vulosura dhe kartmonedha në euro.

I pyetur nga gazetarët, Celibashi u shpreh se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dijeni për këtë rast, por theksoi se çdo denoncim i tillë duhet të hetohet nga organet kompetente.

“Jo, nuk kemi dijeni, por ajo që mund të them pa hezitim është që rasti duhet të hetohet nga organet e procedimit penal për t’i dhënë përgjigje shqetësimit të paraqitur publikisht”, tha Celibashi.

Denoncimi i Berishës:

Berisha denoncoi sipas tij skandalin e ‘trenit bullgar’ në Elbasam. Kreu i PD tha se janë gjetur prova të manipulimit elektoral në lokalin e vëzhguesit të PS.

‘Treni bullgar’, që u aplikua gjerësisht në Shqipëri, mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty. Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro.

Siç keni parë ju, në rastin e Kasharit, në rastin tek Astiri dhe në raste të tjera, ku paralel me qendrat e votimit ishin ngritur zyrat e ‘trenit bullgar’ nga patronazhistët, kjo pra ishte një praktikë shumë e përhapur.

Sot në mëngjes herë, zoti Himçi shkoi vetë në bar-kafenë e Dervish Beqirit, hyri brenda dhe në vendin ku ishte informuar u gjet i gjithë materiali zgjedhor që do paraqesim tani para jush.

Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit.

Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293.

Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh.

Kjo është tavolina e krimit elektoral.

Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni.

Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës”.