Tregtonte pije dhe ushqime të skaduara, e pëson 56-vjeçari (VIDEO)

Një 56-vjeçar në Shkodër ka rënë në prangat e Policisë pasi dyshohet se tregtonte pije të skaduara.

Gjatë kontrolleve në subjektin e tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme e pijeve që u kishte përfunduar afati i skadencës.

Lajmin e bëri të ditur Policia e Shtetit përmes një njoftimi. 

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Skadenca”

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër.

Arrestohet në flagrancë një shtetas që tregtonte pije të skaduara.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik Financiar në DVP Shkodër, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit ekonomik dhe financiar, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Skadenca”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. H., 56 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili” Shkodër, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja ose ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin tregtar që administronte ky shtetas, në lagjen “Salo Halili”, Shkodër, kanë gjetur dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme me pije (lëngje frutash), të cilave u kishte kaluar afati i skadencës.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./albeu.com/


Shtuar 16.03.2022 16:01