Foto ilustruese
Një rast i çuditshëm, i cili mund të lidhet me tregtinë e foshnjave, ka vënë në lëvizje policinë greke.
Gjithçka nisi në Aegaleo, kur oficerët e policisë dalluan dy burra që mbanin në krahë një foshnjë 8 muajshe, duke ecur pranë stacionit të metrosë “Agia Marina”.
Fakti që me ta nuk kishte asnjë grua ka ngjallur dyshimin e policëve bashkiakë të cilët i janë afruar dhe kanë nisur t’i bëjnë pyetje, ndërsa i janë drejtuar edhe punonjësve të Sigurimit të Atikës Perëndimore.
Fillimisht, dy burrat u përgjigjën se nëna ua kishte dhënë foshnjën që ta çonin në shëtitje. Por më pas ata u kanë thënë policëve që kanë shkuar në vendngjarje se nëna ua ka dorëzuar foshnjën për ta shitur për 50 mijë euro.
Të dy personat janë arrestuar dhe ndaj tyre është ngritur procedim për vjedhje. Rastin e ka marrë Departamenti i Sigurisë së të Miturve. Por, sipas informacioneve përkatëse, dy të pandehurit kanë ndryshuar pretendimet e tyre dhe kanë pohuar sërish se nëna ua ka dhënë foshnjën për të shëtitur.