Policia e Elbasanit ka arrestuar 3 persona dhe ka nisur hetimet për 3 të tjerë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Tempulli”.
Personat e arrestuar dhe të proceduar
-Në lagjen “Visarjon Xhuvani”, u kap në flagrancë, me doza cannabisi, me vete, shtetasi F. J. (i dënuar më parë për vjedhje). Gjithashtu, nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas kishte fshehur në një kuti, në rrugën “Janaq Kilica”, doza të tjera të kësaj lënde narkotike, me qëllim blerjen nga shtetasit G. D. dhe B. S.. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin u vu në pranga shtetasi F. J., 35 vjeç, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit G. D., 31 vjeç dhe B. S., 29 vjeç, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dozat e dyshuara të lëndës narkotike cannabis sativa.
-Në lagjen “Vullnetari”, u arrestua në flagrancë shtetasi J. K., 34 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje. Gjithashtu, nga kontrolli në banesë, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 thika të dyshuara vepra arti, të trafikuara.
-Në lagjen “28-Nëntori”, u arrestua në flagrancë shtetasi B. F., 20 vjeç, banues në Elbasan (i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve), pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje.
-U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. D., 33 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të kryer në lagjen “Visarjon Xhuvani”, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në doza të gatshme për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./Albeu.com