Tre rezultatet e mundshme të zgjedhjeve të 8 nëntorit në SHBA, kush do të drejtojë Kongresin dhe Senatin

Nga Rachel M. Cohen, Dylan Scott & Li Zhou  “Vox”

Përktheu: Alket Goce- Albeu.com

Çfarë ka gjasa të ndodhë në SHBA pas zgjedhjeve të mesit të mandatit që mbahen më 8 nëntor? Tani për tani, sondazhet dhe parashikimet sugjerojnë se Senati është ende i lëkundur, ndërsa republikanët kanë më shumë gjasa të fitojnë shumicën në Kongres.

Kjo do të nënkuptonte një formë të qeverisjes së ndarë, me republikanët në krye të njërës ose të dyja dhomave të parlamentit, ndërsa presidenti Joe Biden do të përdorte të drejtën e vetos për ti penguar ata të zbatojnë pjesën më të madhe të agjendës së tyre.

Por është ende teorikisht e mundur që demokratët të ruajnë shumicën në Senat. Ja cilat janë 3 rezultatet e mundshme të këtyre zgjedhjeve, dhe çfarë mund të ndodhë kur të nisin punimet e parlamentit të ri në janarin e vitit 2023.

Skenari nr.1:Republikanët kontrollojnë të dyja dhomat e parlamentit, Kongresin dhe Senatin

Ky skenar nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Parashikimet nga “Politico” dhe “FiveThirtyEight” tregojnë se republikanët janë të favorizuar për të fituar shumicën në Kongres, ndërsa gara për Senatin do të diktohet nga disa përballje të forta. Po çfarë është në rrezik?

Nëse republikanët fitojnë kontrollin e Kongresit dhe Senatit, ata do të kenë hapësirën për të ndjekur një axhendë legjislative përtej asaj që kanë premtuar gjatë fushatës, edhe nëse vetoja e presidentit Biden mund të bllokojë në fund pjesën më të madhe të axhendës së tyre .

Udhëheqësi i pakicës në Kongres, republikani Kevin Mccarthy, do të bëhej kryetar. Ai publikoi në shtator axhendën “Angazhimi ndaj Amerikës”, që parashikon frenimin e shpenzimeve të qeverisë. Po ashtu Mccarthy gjithashtu premton të përballet me kompanitë e mëdha të teknologjisë.

Shumë republikanë janë të interesuar ta përdorin debatin mbi kufirin e borxhit, për t’i detyruar demokratëve të shkurtojnë ndjeshëm fondet për programet e të drejtave të pakicave

Edhe axhenda për të drejtën e abortit, që nuk është prekur thuajse fare gjatë fushatës aktuale, mund të bëhet një çështje kryesore nëse republikanët marrin kontrollin e Kongresit.

Senatori republikan, Lindsey Graham, paraqiti në shtator një projekt-ligj që ndalonte abortin pas javës së 15 të shtatzanisë. Po ashtu, duke qenë vetëm 2 përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, ka të ngjarë që ligjvënësit republikanë të pengojnë zotin Biden të miratojë më shumë projekte konsensuale, siç ndodhi në 2 vitet e tij të para në detyrë, duke kompromentuar çështje shumë të rëndësishme si kontrolli i armëve, infrastruktura dhe rivaliteti me Kinën.

Skenari nr.2:Një parlament i ndarë

Kjo mund të ndodhë në dy mënyra, me një Senat të dominuar nga demokratët dhe një Kongres të kontrolluar nga republikanët, ose anasjelltas, një Senat republikan dhe Kongres demokrat. Kjo e fundit ka shumë pak gjasa të ndodhë, pasi nëse demokratët dalin aq mirë

sa të mbajnë shumicën në Kongres, ata nuk kanë gjasa të humbasin kontrollin e Senatit.

Në rastin e një parlamenti të ndarë, gjasat për miratimin e ligjeve më të rëndësishme janë shumë të vogla. Në vend të kësaj, të dyja dhomat e parlamenti do të përqendrohen tek prioritetet e tyre përkatëse, ndërsa do të përplasen mbi projektligjet e nevojshme si financimi i qeverisë dhe një rritje e tavanit të borxhit.

Siç e ka bërë tashmë të qartë udhëheqësi i pakicës në Kongres Kevin Mccarthy, republikanët janë gati të mbajnë peng çdo rritje të tavanit të borxhit, në këmbim të shkurtimeve në programet e tjera si investimet në energjinë e pastër dhe sigurimet shoqërore.

Në këtë rast, Kongresi dhe Senati mund të përballen me një bllokim të pafund që mund t’i vendosë Shtetet e Bashkuara në prag të mospagimit të borxhit të tyre, një skenar që mund të ketë pasoja shkatërruese për ekonominë amerikane. Ndërkohë, një Kongres me shumicë republikane do të jetë në gjendje të vazhdojë hetimet e shumta ndaj qeverisë dhe presidentit.

Nëse republikanët do të fitonin shumicën në të dyja dhomat, ata do t’i kishin duart e lira të zhvillonin hetime në Kongres për gjithçka, nga marrëdhëniet financiare të djalit të presidentit Hunter Biden, deri tek qasja e administratës Biden ndaj sigurisë së kufirit. Hetimet dhe procedurat e fajësimit të presidentit, mund të vazhdojnë pa miratimin e Senatit.

Disa anëtarë të Kongresit, kanë deklaruar tashmë se planifikojnë të ushtrojnë presion për fillimin e procedurave për shkarkimin e presidentit Biden, dhe deri tani kanë depozituar të paktën 8 rezoluta.

Po ashtu republikanët e Kongresit mund të nxisin shkarkimin e zyrtarëve të tjerë të rangut të lartë të administratës së Biden, përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA Merrick Garland, Sekretarin e Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas, dhe zëvendës/presidenten Kamala Harris.

Po ashtu ata mund të zhvillojnë një sërë hetimesh parlamentare vitin e ardhshëm, sidomos mbi çështje si menaxhimi i kufirit jugor të SHBA-së nga demokratët, inflacioni dhe kriza energjetike. Por duke pasur vetëm kontrollin e Senatit, demokratët mund të vazhdojnë të zgjedhin më shumë gjyqtarë dhe kandidatë të degës ekzekutive.

Skenari nr.3:Demokratët ruajnë shumicën në Kongres

Sipas sondazheve dhe parashikuesve të zgjedhjeve, ky është skenari më i pamundur nga të tre. Historikisht, partia e presidentit në detyrë humbet terren në zgjedhjet e mesit të mandatit, dhe demokratët ruajnë shumicën e ngushtë ashtu siç është.

Por me një klimë të pazakontë politike – inflacioni është rritur, por papunësia është në nivele të ulëta, ndërsa vendimi i Gjykatës së Lartë mbi abortin në qershor ka gjallëruar bazën e demokratëve – ata kanë të paktën një shans sado të vogël për të sfiduar një nga tendencat më të qëndrueshme në politikën amerikane.

Demokratët do të kishin edhe 2 vjet të tjera kontrolli të plotë në Uashington (përveç Gjykatës së Lartë). Axhenda legjislative është në dorën e tyre. Dhe çfarë duan të bëjnë ata? Bazuar në intervistat me stafin aktual dhe të mëparshëm të Kongresit, si dhe me lobistë dhe avokatë progresistë, dy pika do të ishin me siguri objekt i debatit legjislativ:të drejtat e abortit dhe integriteti i zgjedhjeve.

Ndërkohë me çfarë kufizimesh do të përballej partia në pushtet? Zgjedhjet e vitit 2024 po afrohen, ose me Joe Biden që përgatitet të rikandidojë (më shumë gjasa nëse demokratët korrin një fitore historike më 8 nëntor) ose me disa pasardhës të mundshëm./albeu.com

Marrë me shkurtime