Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një tentativë grabitjeje është shënuar në qytetin e Pogradecit, ku shënjestër ka qenë një argjendari në pronësi të Lytfi Alisë.
Pronari i biznesit bën me dije se kjo nuk është hera e parë që argjendaria e tij sulmohet. Sipas tij, në raste të mëparshme autorët kanë arritur të marrin sende me vlerë, duke shkaktuar dëme që kapin shifrën mbi 15 mijë euro.
Ndryshe nga rastet e kaluara, këtë herë tentativa ka dështuar. Pas aktivizimit të sistemit të alarmit, autorët janë larguar pa arritur të marrin asgjë.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, në ngjarje janë përfshirë tre persona të maskuar, të cilët kanë arritur të hapin derën e dyqanit duke përdorur një kriko makine.
