Tre akuza ndaj Safet Bajrit, pritet të dalë të dielën para Gjykatës për masën e sigurisë

Një nga emrat më të përfolur të botës së krimit, i akuzuar për disa krime të rënda ndër vite, Safet Bajri, pritet të dalë të dielën për t’u njohur me masën e sigurisë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

Safet Bajri, u arrestua mesditën e së premtes në Shkodër. Atij fillimisht iu tha që duhet të paraqitet në Drejtorinë e Policisë në Shkodër për një verifikim, por sapo ai ka shkuar, efektivët së bashku me Forcat RENEA e kanë sjellë në Tiranë.

Fillimisht, ai u dërgua në Drejtorinë e Policisë, ku iu komunikua masa e arrestit, ndërsa më pas u nis drejt bllokut të sigurisë.

Përveç Safet Bajrit, SPAK kërkoi masë edhe për Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin, të cilët aktualisht ndodhen në burg për krime të tjera.

Ishte një dosje e vjetër, e cila, në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, nxori në dritë detaje të reja lidhur me vrasjen e xhaxhit të Ibrahim Licit, armik i përbetuar i fisit Bajri. Kanë qenë transkriptimet e aplikacionit të Sky ECC që nxorën në pah rolin e Bajrave dhe Bilalit në këtë vrasje.

Referuar dosjes hetimore, SPAK akuzon grupin kriminal për planifikimin dhe vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 në lagjen “Kiras” të Shkodrës.

Sipas grupit hetimor, motivi i vrasjes lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana, ngjarje kjo e ndodhur më 15 korrik të po atij viti.

Ish-efektivi u ekzekutua në makinë, bashkë me partneren e tij Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar i shpëtoi mrekullisht plumbave.

Ndaj Safet dhe Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit, rëndojnë akuzat për vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.

Ndërkohë, një tjetër dosje e bujshme në duar të SPAK është edhe masakra e Dobraçit, ku humbën jetën 4 persona.

Në këtë atentat, u vra Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndërkohë si pasojë e përplasjes nga mjeti ku po udhëtonin dy të rinjtë, humbi jetën edhe çifti i bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha.

Menjëherë pas vrasjes, mbi trupin e pajetë të Hamza Licit qëndronte një i ri, i cili dyshohet se është Ibrahim Lici. Madje ky i fundit, dyshohet se ishte në makinë bashkë me të vëllanë dhe Bushatin. Ibrahim Lici prej disa kohësh ndodhet në kërkim policor, por ende autoritetet nuk kanë arritur ta kapin.


Shtuar 22.02.2025 15:32