Trazirat në Francë, 20 milionë euro dëme vetëm në transportin publik

Trazirat që tronditën Francën ditët e fundit, pas vdekjes së 17-vjeçarit Nael nga një polic, shkaktuan të paktën 20 milionë euro dëme në transportin publik të Parisit. Ky vlerësim është bërë nga IDFM (Ile-de-France Mobilités), organizata që menaxhon transportin publik në rajonin administrativ të Ile-de-France, që përfshin zonën më të gjerë të kryeqytetit francez.

Kjo shifër përfshin autobusët dhe tramvajin që u dogjën, dy tramvaje që u dëmtuan, si dhe stolat e thyer në ndalesa, tha IDFM për AFP, duke konfirmuar informacionin e raportuar më parë nga gazeta Le Parisien.

Javën e fundit, gjithsej 39 autobusë u dogjën në zonën e madhe të Parisit. Çdo autobus kushton pothuajse 350 mijë euro, sipas shifrave të organizatës.

Edhe pse trazirat tashmë janë reduktuar ndjeshëm, autobusët dhe tramvajet u kthyen në stacione në orën 21:00, për sigurinë e punëtorëve dhe pasagjerëve.


Shtuar 3.07.2023 22:59