Njësia e inspektorëve dhe ajo e ndihmës inspektorëve në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë zhvilluan një trajnim dyditor me fokus rritjen e aftësive inspektuese sipas udhëzuesve të CEPEJ (Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë).
Aktiviteti është pjesë e strategjisë së punës të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për trajnim të vazhdueshëm të stafit dhe u mbështet nga projekti HFIII, Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri (SEJ IV) i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Në nisje të trajnimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani shprehu falenderimet për CEPEJ, që e ka mbështetur Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që në fillimet e punës së vet dhe vuri theksin tek rëndësia që i kushton institucioni përditësimit të stafit të inspektimit me njohuritë më të mira profesionale mbi metodikat e proceset e punës për verifikimin e hetimin e gjyqtarëve e prokurorëve.
Ekspertët e CEPEJ, José Manuel Santos Pais, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme të Portugalisë dhe Gilles Accomando, drejtor i Qendrës së Trajnimit të Dhomës së Avokatëve të Parisit, ish-kryetar Gjykate Apeli, i njohën inspektorët e ILD-së me parimet udhëzuese për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe transparencën e kritereve të vlerësimit, menaxhimin e kohës nga prokurorët dhe listën e kontrollit për menaxhimin e kohës.
Inspektorët dhe ndihmës inspektorët e ILD-së zhvilluan diskutime me ekspertët duke krahasuar metodologjinë e udhëzimet e CEPEJ me kuadrin ligjor dhe praktikat kombëtare në Shqipëri, me fokus te rekomandimet që mund të përshtaten dhe zbatohen në kontekstin vendas