Tragjike/ Tre shqiptarët grabitën një farmaci dhe tentuan të arratiseshin, por u përplasën me automjetin e një polici, humbin jetën të katërt

Një aksident tragjik ka ndodhur në qytetin e Malagas, ku një nën-inspektor i Policisë Kombëtare Spanjolle, 48-vjeç, dhe tre persona të dyshuar si pjesëtarë të grupeve kriminale shqiptare, humbën jetën pas një përplasjeje “kokë më kokë” mes dy automjeteve.

Ngjarja nisi pas një përpjekjeje për grabitje në një farmaci në rrugën Lope de Rueda, në lagjen Puerto de la Torre.

Tre grabitësit, të cilët besohet të jenë anëtarë të një bande të njohur shqiptare, tentuan të grabisin farmacinë, por dështuan dhe u larguan me shpejtësi në një automjet të fuqishëm.

Policia Kombëtare dhe ajo vendore u vu menjëherë në ndjekje të tyre.

Sipas raportimeve nga agjencia EFE, gjatë arratisjes, grabitësit morën një kthesë të gabuar duke hyrë në drejtim të kundërt në autostradën A-7 drejt Torremolinos.

Pikërisht aty ndodhi përplasja fatale me makinën e nën-inspektorit 48-vjeçar, i cili nuk po merrte pjesë në operacion, por po kthehej në shtëpi pas një turni nate.

Përplasja e fuqishme çoi në shpërthimin në flakë të të dy automjeteve. Sipas autoriteteve të Këshillit të Qytetit të Malagës, zjarrfikësit nga stacionet Churriana, Carretera de Cádiz dhe Martiricos mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të nxjerrë trupat nga mjetet e djegura.

Tre personat në makinën e grabitësve u gjetën të pajetë, ndërsa oficerët e Policisë Lokale nxorën nga makina nën-inspektorin, por fatkeqësisht nuk mundën t’i shpëtonin jetën.

Në vendngjarje ndërhynë edhe Garda Civile, Policia Kombëtare dhe shërbimet emergjente 061. Hetimet për aksidentin po drejtohen nga Departamenti i Trafikut i Gardës Civile.

Nën-inspektori i ndjerë ishte baba i dy fëmijëve dhe kishte mbi 20 vite në shërbim. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë dhe autoritetet lokale kanë shprehur ngushëllimet për familjen e tij.


Shtuar 6.06.2025 09:32