Tragjedia në Sarandë/ Dy motrat u morën leje prindërve për të pirë kafe dhe kërkuan të merrnin vëllain e vogël, gjyshja i paralajmëroi të mos dilnin: Kam parë ëndërr të keqe

Familja Dhimaku në Delvinë ka hapur sot dyert e mortit pasi dy motrat Elvisa dhe Rozina, përkatësisht 22 dhe 20 vjeçe, humbën jetën mbrëmjen e djeshmë në një aksident tragjik në Sarandë. Sipas raportimeve, dy vajzat iu kishin marrë leje prindërve për të dalë për të pirë një kafe, bashkë me shoqen e tyre Antonela Zhupën, e cila ndodhet te spitali i Traumës.

Dy motrat kanë këmbëngulur të merrnin me vete dhe vëllain e tyre të vogël 10 vjeç, i cili është i sëmurë me leuçemi, por babai nuk e ka lejuar duke thënë se “është i lodhur”. Gjyshja e vajzave nga ana tjetër, i ka paralajmëruar mos të dalin nga shtëpia duke iu thënë se “kam parë një ëndërr të keqe”, por nuk ka mundur t’i ndalojë.

Ndërkohë, po mbrëmjen e djeshme, policia ka arrestuar në flagrancë edhe shkaktarin e aksidentit. Në pranga është vënë Kevi Norra, specialist në Ministrinë e Brendshme. Pas testit të alkoolit ka rezultuar se 23-vjeçari, drejtonte automjetin tip “Audi” në gjendje të dehur.

Policia e Sarandës bëri me dije se testi i parë i alkoolit tregoi nivelin 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë 1.42 mg/l. Duke tentuar një parakalim të gabuar, automjeti i tij është përplasur kokë më kokë më makinën tip “Lancia” në të cilën ishin tre vajzat. 23-vjeçari akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.


Shtuar 25.08.2025 16:32