Tragjedia në Maliq/ Përcillen sot për në banesën e fundit nënë e bir, fqinja tregon momentet e tmerrshme…

Pas tragjedisë që ndodhi ditën e djeshme, në Maliq ka pllakuar heshtja dhe dhimbja. Nënë e bir, Merjeme Hazisllari, 38-vjeçe dhe djali i saj Luka Hazisllari, 14-vjeç, humbën jetën, pasi u asfiksuan nga zjarri që ‘mbërtheu’ të gjithë banesën, ndërsa është në gjendje të rëndë shëndetësore vajza, Nefeli Hazisllari, 6-vjeçe.

Kjo e fundit ndodhet në terapi intensive në Pediatrinë e Tiranës, ndërsa ka djegie në fytyrë dhe trup.

Sakaq, të afërm të viktimave, kanë shkuar për ngushëllim në banesën e xhaxhait të fëmijëve, e cila ka hapur dyert e mortit, pasi banesa e vëllait të tij është shkrumbuar totalisht nga flakët.

Nënë e bir do të përcillen për në banesën e fundit në orën 15:00.

Dëshmia e fqinjes:

Xhemile Kapri është personi i parë që ka qenë në vendngjarje, aty ku ditën e djeshme një tragjedi i morri jetën nënës dhe djalit të mitur, 14-vjeçarit Luka Hazisllari ndërsa u plagos rëndë vajza vetëm 6-vjeçarja Nefeli Hazisllari.

Ajo ka rrëfyer momentet e tmerrit, ndërsa tregon se askush nuk e dinte që në banesë ishte edhe 38-vjeçarja Merjeme Hazisllari e cila humbi jetën nga asfiksia.

“Unë dola të hidhja plehrat, edhe ajo çupka qante… qante në oborr. Shkoj atje dhe shoh, ajo dukej sikur ishte futur në kazan, e tëra e nxirë. Thërras komshiun lart dhe i them: ‘Hajde shpejt, shiko çfarë ka ndodhur!’ Më dridhej trupi, nuk shikoja dot. Kur vajtëm, komshiu tha: ‘Kjo është e djegur! Si ka mundësi, është në mes të oborrit?!’

Hapëm derën me këmbë. Djali ishte i shtrirë barkas, me këmbë dhe krahë hapur. Thashë: ‘Ka vdekur.’ Nuk e dinim që edhe nëna ishte brenda e gjeti policia dhe zjarrfikësja.

Vajtëm dhe ngritëm çupkën, ishte një kuvertë atje jashtë dhe e mbështollëm. Asaj i binin flokët dhe kishte plagë nga djegiet. Ata ishin me autizëm vajza nuk fliste, as nuk ecte, ndërsa djali ecte por nuk fliste. Djali ishte i vdekur që në korridor, ndërsa vajza po qëndronte ulur. Nëna ishte brenda.

Kishin vështirësi ekonomike, me dy të sëmurë në shtëpi; kempi 200 mijë lekë nuk u mjaftonte. I ndihmonim dhe i flisnim të ëmës, se ishin dy një s’e mban dot, jo më dy të sëmurë. Ndihmohej, por me aq lekë sa merrnin, as për bebelina nuk u dilnin. Djalin e çonte në një qendër, ndërsa vajzën jo”, ka deklaruar ajo.