Antonela Perkoviç dhe Marco Bakoviç, dy nga pasagjerët në bordin e autobusit që u rrëzua nga një mbikalim mbrëmë në Mestre, Itali, u martuan vetëm 20 ditë më parë.
Ajo, 24 vjeçe, ka ndërruar jetë, ndërsa ai ndodhet në spital. Antonela, sipas raportimeve të mediave kroate, ishte shtatzënë.
Çifti ishte në muajin e mjaltit dhe kishte zgjedhur Venedikun si ndalesën e fundit të udhëtimit të tyre.
Prezenca e dy të rinjve në autobus është raportuar nga faqja kroate e lajmeve 24Sata.hr, duke shpjeguar se dy të rinjtë vijnë nga zona e Splitit, në Dalmaci.
Çifti i martuar në autobusin që u rrëzua në Mestre: Ajo vdiq, ai në spital
Të martuar rreth njëzet ditë më parë, Antonela dhe Marco kishin zgjedhur Venedikun si stacionin e fundit të rrugëtimit për të përmbushur ëndrrën e tyre të dashurisë.
Megjithatë, një muaj mjalti përrallor në kartolinën e qytetit lagunor përfundoi në tragjedi. Në spitalin Angelo në Mestre ka edhe gazetarë kroatë për të marrë informacion mbi kushtet e bashkatdhetarëve të tyre.
Grupi i turistëve
Grupi përbëhej nga njerëz të kombësive të ndryshme: gjermanë, ukrainas, austriakë, të paktën një francez dhe spanjollë. Disa familje ishin me pushime bashkë, të tjerat nuk njiheshin dhe i bashkoi fati tragjik.
Operacionet e identifikimit kanë vijuar gjatë gjithë ditës për disa prej tyre, ndërsa disa të afërm kanë mbërritur në spitalin “Angelo” dhe janë dërguar në një dhomë, gjithashtu të drejtuar nga policia, ku kanë mbështetjen e ekipit të psikiatërve dhe psikologëve të spitalit.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç shprehu ngushëllimet e tij për tragjedinë me një postim në Twitter: “Ngushëllime të thella Giorgia Melonit, Qeverisë dhe popullit italian për aksidentin e tmerrshëm në Mestre. Mendimet tona shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre. Të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë.”