Tragjedia me 5 viktima në Qafë Muzinë, Meta: Thellësisht i pikëlluar, policia të marrë masa për parandalimin e aksidenteve

Presidenti  Ilir Meta ka reaguar në lidhje me aksidentin e ndodhur sot në Qafë Muzinë, ku humbën jetën 5 persona pasi një furgon pas përplasjes me një mjet, ra në greminë.

Meta shkruan se është i pikëlluar për jetët e humbura dhe u ka bërë apel qytetarëve të udhëtojnë me kujdes.

Kreu i Shtetit gjithashtu ka bërë thirrje për policinë që të shtojë kontrollet dhe të parandalojë aksidentet.

Postimi i Metës:

Thellësisht i pikëlluar për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë.

Ndaj dhembjen e thellë dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe të gjithë solidaritetin familjarëve të tyre!

Të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë dhe i përgëzoj autoritetet shëndetësore për kujdesin dhe ndihmën që po u japin në këto momente të vështira!

Një apel të fortë u bëj të gjithë qytetarëve për të udhëtuar me shumë kujdes dhe dëshmuar përgjegjshmëri të lartë në drejtimin e automjeteve, në mënyrë që të tilla tragjedi tronditëse të shmangen në të ardhmen.

E nxis Policinë Rrugore dhe çdo strukturë tjetër përgjegjëse, që në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik, të marrin çdo masë efektive për parandalimin e aksidenteve kaq të rënda, që fatkeqësisht po bëhen kaq të shpeshta në rrugët e Shqipërisë./albeu.com


Shtuar 26.08.2021 17:55