Tragjedia me 242 viktima/ Nëna tregon momentin kur djali kërcen nga kati i dytë i konviktit: Po na vjen një avion (VIDEO)

Një tragjedi ajrore ka tronditur qytetin e Ahmedabadit në Indinë Perëndimore, ku një avion i “Air India” me destinacion Londrën, është rrëzuar menjëherë pas ngritjes, duke shkaktuar panik dhe dëme pranë zonës së konvikteve të studentëve të mjekësisë.

Nëna e një studenti rrëfen momentin tronditës, kur djali i saj u detyrua të hidhej nga kati i dytë i konviktit për të shpëtuar.

“Ai më tha: ‘Po na vjen një avion’. Menjëherë kërceu nga dritarja. Pësoi lëndime, por është jashtë rrezikut për jetën”, tregon Ramila.

Në fluturimin AI171 ndodheshin 242 persona: 169 shtetas indianë, 53 britanikë, një kanadez dhe shtatë portugezë. Avioni ishte nisur për në Londër Gatwick, por humbi kontrollin pak minuta pas ngritjes.

Jashtë Spitalit Civil të Ahmedabadit, familjarët e të afektuarve presin me ankth. “Kunata ime ishte në bord. Brenda një ore mora vesh se avioni ishte rrëzuar. Erdha menjëherë këtu”, tregon Poonam Patel për agjencinë ANI që citon noa.al.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një bilanc zyrtar të viktimave apo të plagosurve, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë.

“Air India”, ka njoftuar se po punon ngushtësisht me autoritetet për të hetuar shkakun e ngjarjes dhe për të ndihmuar familjet e pasagjerëve.

Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në të gjithë Indinë dhe jashtë saj, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë e fluturimeve në rajon.

 


Shtuar 12.06.2025 15:22