Zyrtarët portugezë kanë konfirmuar se këputja e kabllos lidhëse mes dy vagonëve, ishte shkaku kryesor i aksidentit tragjik të tramvajit “Gloria” në Lisbonë, si pasojë e të cilit humbën jetën 16 persona dhe rreth 20 të tjerë u lënduan.
Sipas raportit të parë, pas vetëm gjashtë metrash udhëtim, kabinat “papritmas humbën fuqinë ekuilibruese të kabllos lidhëse”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se sistemi i sigurisë, reagoi menjëherë duke aktivizuar frenat. Megjithatë, këto masa nuk patën efekt: vagoni vazhdoi të përshpejtonte në mënyrë të pakontrolluar dhe doli nga shinat me shpejtësi rreth 60 kilometra për orë, duke u përplasur në një ndërtesë brenda më pak se 50 sekondash.
Hetuesit, sipas raportit preliminar, kanë konstatuar se mekanizmat e tjerë ishin funksionalë. Një inspektim rutinë ishte kryer madje në mëngjesin e ditës së aksidentit, por defekti që solli këputjen e kabllos nuk mund të vërehej pa u çmontuar pajisjet.
“Gloria”, i cili funksionon prej 140 vjetësh dhe është shpallur monument kombëtar, është një prej atraksioneve më të njohura turistike në kryeqytetin portugez.
Ai lidh Sheshin Restauradores me lagjen e njohur Bairro Alto, përmes një udhëtimi që zakonisht zgjat tre minuta.
Sistemi i “Glorias” përbëhet nga dy tramvaje që lëvizin paralelisht dhe tërhiqen nga kabllo çeliku: kështu, Kur njëri zbret, pesha e tij e tërheq tjetrin përpjetë.
Shumica e viktimave ishin turistë të huaj, ndërsa autoritetet portugeze kanë paralajmëruar se hetimet do të vazhdojnë.