Tragjedia e familjes Kola në Itali/ Xhaxhai tregon momentet e fundit të ngjarjes

“Nuk arrita t’i shpëtoja”. Këto janë fjalët e vetme që arrin të thotë Durim Kola, 42-vjeç, xhaxhai i familjes Kola, e cila humbi jetën nga helmimi me monoksid karboni në banesën e saj në Porcari, në provincën e Luccas, Itali.

Durim Kola, është i vetmi i mbijetuar nga ngjarja. Në përpjekje për të ndihmuar vëllanë Arti Kola dhe familjen e tij, ai humbi ndjenjat brenda banesës dhe, duke u rrëzuar, pësoi një goditje në kokë.

Sipas mediave të huaja, ai u transportua në repartin e urgjencës (OBI) të spitalit Cisanello, ku qëndroi nën vëzhgim gjatë natës dhe u lirua mëngjesin e së nesërmes.

Gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut.

Pasi u kthye në banesën e tij në Porcari, pak metra larg shtëpisë ku ndodhi tragjedia, Durim Kola, u detyrua t’i komunikojë nënës së moshuar humbjen e djalit dhe nipërve.

Pas marrjes së lajmit, gruaja pësoi një përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe iu dha ndihma mjekësore në shtëpi, pa qenë e nevojshme shtrimi në spital.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, alarmi u dha rreth orës 21:30, kur Durim Kola, i shqetësuar sepse nuk po arrinte të kontaktonte familjarët, mbërriti në rrugën Galgani së bashku me karabinierët.

Pas thyerjes së derës së banesës, në katin e dytë u gjetën të shtrirë në tokë bashkëshortët Kola dhe dy fëmijët e tyre, pa ndjenja.

Në ato momente, ndërsa po kërkohej ndihma e urgjencës, Durim Kola humbi ndjenjat. Prania e monoksidit të karbonit u kuptua menjëherë dhe të gjithë personat e pranishëm dolën nga banesa për arsye sigurie.

Zjarrfikësit, të pajisur me maska dhe detektorë, konstatuan përqendrime të larta gazi dhe nxorën nga banesa pesë persona.

Shërbimi i urgjencës 118 mundi të ndërhynte vetëm për Durim Kolën, ndërsa për katër anëtarët e familjes Kola u konstatua vdekja.

Hetimet për shkaqet e sakta të rrjedhjes së monoksidit të karbonit janë në vijim. Familja Kola njihej në zonë si e integruar dhe e respektuar në komunitetin lokal.


Shtuar 6.02.2026 11:56