Tragjedia e Cetinjës, “pse” ende pa përgjigje për vrasësin

Pak ditë më parë një tragjedi tronditi Malin e Zi, ku një person vrau me armë zjarri 11 vetë.

34-vjeçari Vuk Boriloviç morri 11 jetë në pak minuta në Cetinje, mes tyre dhe fëmijë.

Më pas autori i ngjarjes së rëndë u vra nga një bashkëqytetar.

Fillimisht, Boriloviç vrau dy fëmijë të mitur dhe nënën e tyre që jetonte në në banesë të dhënë prej tij me qera.

“Për momentin nuk është e qartë se çfarë e shtyu Boriloviçin të kryente një akt të tillë të urryer. Theksoj se rrethanat e gjithë ngjarjes, përfshirë edhe marrjen e jetës së Boriloviçit, janë ende duke u hetuar. Shpresoj që kurrë më nuk do të jemi dëshmitarë të një tragjedie të tillë në Mal të Zi”, tha drejtori i policisë malazeze, Zoran Brđanin.

Ende ka spekulime se përse Boriloviç e kreu masakrën e përgjakshme. Mediat malazeze raportojnë dëshmitë e banorëve të vendbanimit ku ai jetonte se kohët e fundit ka qenë dukshëm i tërhequr dhe dyshues ndaj fqinjëve të tij. Gjithashtu ka dhe informacione të pakonfirmuara se kishte probleme mendore dhe se për këtë është dashur të shkojë për vizitë në spitalin psikiatrik në Kotorr.

Gjithsesi, profili i vrasësit ishte ai i një njeriu problematik dhe i prirur për sherre. Për këtë ai ishte “person me precedentë”.

Deri më tani, vrasja më masive në Mal të Zi ka ndodhur 30 vjet më parë, në vitin 1992, në një fshat, kur një i ri 22-vjeçar vrau 9 dhe plagosi disa fshatarë të tjerë para se një nga fqinjët e tij ta ndalonte dhe ta vriste.

“Mali i Zi ka humbur shumë, do të jetë e vështirë të kthehet në normalitetin social pas gjithçkaje, por besoj se me njëfarë solidariteti do të duhet ta tejkalojmë këtë disi”, tha kryeministri Dritan Abazoviç, i cili vizitoi të plagosurit në spitalin e Cetinjës.