Një tjetër episod tragjik ka goditur Rripin e Gazës, ku një kamion që transportonte ndihma humanitare është përmbysur, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 20 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, ndërsa kamioni po lëvizte në një nga rrugët e zonës, në përpjekje për të shpërndarë ndihmat për popullsinë e uritur.
Autoritetet në Gaza kanë akuzuar ushtrinë izraelite se ka mbyllur rrugët kryesore dhe ka detyruar automjetet e ndihmave të kalojnë në rrugë të dëmtuara dhe të pasigurta, të mbushura me civilë që presin me ditë të tëra për furnizime me ushqime dhe produkte bazë.
Sipas autoriteteve lokale, mjeti i ndihmave është përmbysur mbi një turmë personash që po përpiqeshin të merrnin ushqim, në një rrugë që më herët kishte qenë objekt bombardimesh. Qeveria e Gazës e ka cilësuar ngjarjen si “rezultat i një sjelljeje të qëllimshme kriminale”, duke theksuar se situata humanitare në territor është përkeqësuar ndjeshëm dhe ka hyrë në një fazë “kaotike dhe katastrofike”.
Në deklaratën e saj, qeveria akuzon Izraelin për “krimin e urisë masive kundër më shumë se 2.4 milionë banorëve të Gazës”, duke theksuar se bllokimi i pikave kufitare dhe pengesat për hyrjen e ndihmave janë pjesë e një politike sistematike për të “thyer qëndresën e popullit palestinez dhe për të shkatërruar strukturën e saj shoqërore”.
Autoritetet në Gaza u kanë bërë thirrje organizatave ndërkombëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndaluar atë që e quajnë “krim i vazhdueshëm”, duke kërkuar hapjen e plotë, të sigurt dhe të qëndrueshme të pikave kufitare dhe garantimin e një fluksi të pandërprerë të ndihmave ushqimore, mjekësore dhe të karburantit.