Trafiku që nuk mbaron kurrë-Sa do të zgjasë kalvari i pritjeve në aksin Elbasan-Librazhd?!

Aksi rrugor Elbasan – Librazhd është përballur sërish ditët e fundit me trafik të rënduar dhe radhë të gjata automjetesh, duke kthyer një nga rrugët kryesore lidhëse të qarkullimit lindje – perëndim në një burim stresi dhe lodhjeje për drejtuesit e mjeteve.

Shkak kryesor mbeten punimet në rrugë, sidomos në zonën e Murrashit, ku po ndërtohen edhe dy tunele, puna e të cilëve nuk ka një afat të qartë përfundimi.

Shoferët raportojnë vonesa që shkojnë nga 30 minuta deri në disa orë, sidomos gjatë kësaj fundjave ku për shkak edhe të fluksit të festave qytetarët kanë pritur me orë të tëra në trafik në temperatura minus.

Për banorët e zonës dhe transportuesit, kjo rrugë është kthyer së fundmi në një provë durimi. Mungesa e sinjalistikës, mungesa e një By Pass-i dhe menaxhimi efikas i trafikut nga ana e policisë e përkeqëson edhe më tej situatën.

Përpos deklaratave periodike për përmirësimin e infrastrukturës, qytetarët kërkojnë një plan konkret për lehtësimin e trafikut dhe një përgjigje të qartë se kur do të përfundojnë këto punime që janë kthyer tashmë në një makth të përditshëm.

Deri atëherë, aksi Elbasan–Librazhd mbetet simbol i një problemi të përsëritur në infrastrukturë, ndërsa nuk dihet ende se sa do të zgjasë ky hall që i ka zënë shoferët dhe qytetarët që u duhet të lëvizin në këtë zonë.


Shtuar 3.01.2026 21:53