Autoriteti Rrugor Shqiptar në koordinim me Policinë e Shtetit ka vendosur të ndryshojë planin e menaxhimit të trafikut në autostradën Tiranë – Durrës, për të mundësuar ndërhyrjen rehabilituese në pjesēn nga Vora deri te ura e Dajlanit.
Në një njoftim të publikuar në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë thuhet se “nisur nga situata e trafikut të rënduar në autostradën Tiranë–Durrës, si pasojë e ndërhyrjeve për riparimin e shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë–Ura e Dajlanit, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, ka hartuar një Plan të ri të Menaxhimit të Trafikut me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë rrugore gjatë fazës së punimeve”.
Sipas këtij plani, duke filluar nga sonte, datë 14 tetor, në orën 23:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, do të zbatohet bllokimi i përkohshëm i qarkullimit në drejtimin Vorë–Durrës, në këto segmente:
* Vorë – Maminas
* Maminas – Sukth
* Sukth – Fllakë
* Fllakë – Mbikalimi i Shkozetit
* Mbikalimi i Shkozetit – Ura e Dajlanit
Kohëzgjatja e punimeve parashikohet të jetë 1 deri në 2 ditë për çdo segment, në varësi të kushteve atmosferike dhe progresit të punës. Gjatë orareve të mbylljes së qarkullimit, përdoruesit e rrugës do të duhet të ndjekin rrugën alternative: Vorë- Maminas- Katër rrugët e Shijakut- Durrës.
Pas përfundimit të punimeve në drejtimin Vorë–Durrës, do të vijojë ndërhyrja edhe në kahun tjetër të autostradës, Ura e Dajlanit- Vorë, duke ndjekur të njëjtin plan pune dhe afat kohor për çdo segment.
ARRSH në njoftimin e saj thekson se ndërhyrja në këtë aks rrugor është e domosdoshme për rehabilitimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për përdoruesit. Institucioni kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar të përdorin rrugët alternative në oraret e planifikuara të punimeve, për të kontribuar në mbarëvajtjen e procesit.
Në përfundim të ndërhyrjes, autostrada Tiranë- Durrës do të ofrojë një standard më të lartë sigurie dhe komoditeti, duke reduktuar ndjeshëm problematikat aktuale të trafikut dhe amortizimit të shtresave rrugore.