I akuzuar për trafik të lëndëve narkotike në vendet e BE, ekstradohet nga Spanja 34-vjeçari (EMRI)

Ekstradohet nga Spanja Juxhin Drazhi, 34-vjeç, shtetas që akuzohet nga GjKKO, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe Belgjikë.

Në vijim të bashkëpunimit shumë të ngushtë ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Madrid, u finalizua në kuadër të operacionit “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, 34-vjeç.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 30.04.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se shtetasi J. D. ka qenë pjesë e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe në Belgjikë.