Është arrestuar në Francë Francë Paul (Agustin) Dedën, ish-truproja i Saimir Tahirit, i dënuar me burg nga GJKKO për trafikim e mbi 1 ton Cannabis.
Sipas policisë, Paul Deda 50-vjeç, ka bashkëpunuar me shtetas shqiptarë dhe italianë për të trafikuar drogën e kultivuar në Shqipëri drejt Barit, ku sasia prej mbi 1 ton kanabis u sekuestrua nga Policia italiane.
Gjatë aksionit në Itali, u arrestuan gjithashtu dy anëtarë të tjerë të grupit kriminal.
Përveç akuzës për trafik droge, ndaj Paul Dedës rëndon edhe akuza për pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
“Si rezultat i sigurimit të informacionit nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, dhe shkëmbimit të tij në kohë reale, nëpërmjet Interpol Tiranës, me homologët në Paris, në kuadër të kësaj faze të operacionit “The Wanted”, policia franceze lokalizoi dhe arrestoi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, P. D., 50-vjeç.
GjKKO-ja i ka caktuar 50-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi P. D., në bashkëpunim me shtetas shqiptarë dhe italianë, kanë tentuar të trafikojnë në Itali, nëpërmjet rrugës detare, 1016 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa të kultivuar në Shqipëri. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në Bari, nga Policia italiane, ku gjithashtu u arrestuan 2 pjesëtarë të kësaj organizate kriminale”, njofton policia.