Lëvizja përgjatë aksit rrugor Laç–Lezhë është kthyer në një shqetësim të madh për drejtuesit e automjeteve në këto ditë të nxehta gushti. Për të përshkuar vetëm 15 kilometra rrugë, sidomos në fundjava, udhëtarëve u duhen edhe orë të tëra.
Pika më problematike mbetet rrethrrotullimi i Fushë-Milotit, ku përqendrohet edhe fluksi më i lartë i mjeteve në të dyja kahet e lëvizjes, si ato që vijnë nga Kosova dhe nga Tirana.
Situata është rënduar edhe për shkak të mbylljes së urës së vjetër mbi lumin Mat për shkak të dëmtimeve që ajo ka pësuar. Aksi i vjetër shërbente si rrugë alternative për shfryrjen e trafikut. Pritjet e gjata në rrugë janë edhe më të vështira për shkak të temperaturave ekstreme të këtyre ditëve, mbi 40 gradë Celsius.
Ndërkohë Policia Rrugore është vendosur në disa pika strategjike për të lehtësuar sadopak qarkullimin, por trafiku i rënduar pritet të jetë prezent deri në fund të muajit gusht, kur nis të bjerë dhe fluksi i pushuesve në zonat turistike.