Trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë, lëshohen 19 urdhër-arreste

Në kuadër të operacionit ‘Kulmi’,  është goditur, një organizatë e fuqishme që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë, si pasojë e hetimeve të bashkërenduara mes SPAK, Eurojust dhe Antimafias italiane që nisën në vitin 2017.

Ditën e sotme, pas vendimit të miratuar nga Gjykata e Lartë, janë lëshuar 19 urdhër-arreste të tjera, ndërkohë që disa prej të arrestuarve në Itali në vitin 2020, janë dënuar përfundimisht deri në 11 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.

Grupi i përbërë nga trafikantë shqiptarë dhe italianë vepronte në zonën e Barit, por kishte degë edhe në Pulia dhe Bazilikatë.

Mediat italiane, shkruajnë se më herët, në një operacion të bërë ndaj kësaj organizate kriminale, u arrestuan 27 persona dhe u sekuestrua lënda narkotike prej 3.3 ton drogë e llojit marihuanë, kokainë dhe heroinë.

Operacioni ‘Kulmi’ më 30 qershor 2020, i zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve italiane dhe shqiptare, bëri të mundur sekuestrimin e 40 mln eurove droge, 4 milion euro asete si prona, automjete, para kesh dhe arrestimin e 37 persona.


Shtuar 20.12.2023 10:54