Big Mama, Nenna dhe Elinara zgjodhën të thyejnë heshtjen për plagët që i kanë shoqëruar në jetë. Me lot në sy, ato ndanë historitë e tyre të dhunës fizike, psikologjike dhe seksuale, duke kthyer spektaklin në një thirrje të fortë për ndërgjegjësim dhe kurajë.
Big Mama rrëqethi teksa foli për lidhjen e parë, duke nënvizuar se dhuna ishte prezente në marrëdhënien e tyre. Ajo tha se nga një shtrëngim në fyt që i kishte bërë partneri, nuk kishte mundur të hante për rreth 1 javë.
Big Mama: Ishte lidhja e parë. Filloi xhelozi e madhe. Presion psikologjik, më largoi nga shoqëria. Më mbylli në vetvete. Nuk isha unë. Doja të merrja një vendim. Vetëm se i thashë që e ndjej që diçka nuk shkon, filloi dhunën. Nga shtrëngimi që më ka bërë në fyt, nuk munda të ha për një javë. E fsheha, s’doja të dilja në portale, kisha hallin e familjes. Urova ditëlindjen e tij dhe postova një foto, ai u çmend. Më tha: “Hiqe urgjent”. E shihja që s’kisha lumturi, vetëm stres më jepte. Unë duhej të shpëtoja nga ai njeri. Kuptova të vërtetën: unë isha një viktimë. I dërgova një mesazh ku i thosha që unë dua t’i jap fund.
Fermerja tjetër, Nenna, ndau një histori të dhimbshme që përfshinte manipulim, dhunë dhe tradhti.
Nenna: Kur isha në Zvicër njoha një djalë, ishte tip Don Zhuan. Ai më eliminoi shoqërinë, më ndaloi rrjetet sociale, unë e pranova për hatër të dashurisë. Pranuam një lidhje 1 vit e gjysmë. Një ditë pashë që poçi elektrik bëri një dritë të vogël, ajo ishte kamerë. U bëra shumë keq, filluan debatet, kalova në ilaçe. Hyra në paranoja, më kapi depresioni, me familjen nuk flisja dot lirshëm, nuk kisha ku të shkoja, se m’i mbylli të gjitha dyert. E vetmja shpresë ishte shoqëria në Gjermani, ika menjëherë. Filluan mesazhet ku më kërkonte falje, rashë dhe shkova e takova, dhe më tha: “Të kam tradhtuar”. Më kërkoi falje, më tha: “Ka ndodhur veç një herë”. Ia fala me fjalë goje, por jo me shpirt. Hyra në depresion, agravova në alkool, se s’po e merrja veten. Më humbi besimi, s’i besoja askujt.
Një histori tronditëse solli Elinara, e cila në moshën 18-vjeçare tentuan ta përdhunonin. Ajo tregoi sesi, e mashtruar nga një komshi për të hipur në një makinë, u gjend në një situatë të tmerrshme.
Elinara: Kur e kujtoj atë gjë, më rrëqethet mishi, rrezikoja jetën. Isha 18 vjeç. Gjatë pushimeve të verës u futa të punoja në një butik. Kur po hyja në autobus, një komshiu im më thotë: “Hajde të ikim me një mikun tim”. Hypa në makinë dhe shoh që personi që ishte shofer nuk merr drejtimin nga qendra, por merr drejtim tjetër. Shoh vështrimin e shoferit, ishte i çuditshëm. Shoh komshiun tim, ma bën me gisht. Filluan të më kërcënojnë: “Do të vrasim!”. Në një moment hapa siguresën e makinës dhe u hodha. Përfundova në rrugë pa ndjenja. Gjesti që bëra unë ishte vdekjeprurës, më mirë të humbja jetën sesa të përfundoja në dorë të tyre. Në atë kohë ishin në masë përdhunimet, nuk doja të shqetësoja familjen. Ajo kohë më ka lënë një traumë.
Në fund të historisë, Big Mama dha një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjitha vajzat.