Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, është përplasur në sallën e seancave plenare me deputetin demokrat, Flamur Noka.
Duke iu përgjigjur akuzave të këtij të fundit, Toni Gogu i kujtoi Flamur Nokës akuzat që ka bërë ndaj tij Gazment Bardhi për vilën 760 mijë euro në Gjirin e Lalëzit. Toni Gogu i tha Flamur Nokës se ka detyrimin që të sqarohet në Kuvend mbi akuzat për vilat.
“I dashur Flamur, jam ulur këtu si shërbëtor i Republikës i zgjedhur nga kuvendi dhe i dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe jam Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, dhe ndaj rri dëgjoj edhe pavërtetësira, e them pavërtetësira me delikatesë se në fakt janë gënjeshtra kokë e këmbë. E dyta, e shikoj që ti je intriguar për standardin e jetesës time, megjithatë të ftoj të më ndjekësh nga mbrapa dhe të shikosh se si i jetoj unë bindjet e mia.
Detyrën time e çmon ti patjetër, por bindjet e mia, të ftoj që t’i shikosh, të vish nga mbrapa. Për sa i përket akuzave personale, të lutem, kësaj salle ti i detyrohesh një përgjigje ndaj një akuze që ta ka bërë shoku i bankës për disa vila të bëra me veprimtari të paligjshme, dhe kam përshtypjen që duhet të jenë në ndonjë organ ligjor. Se më duket se i çoi dhe atje.
Pra, ju keni thënë kaq shumë gjëra për njëri-tjetrin dhe keni lozur, kështu si quhet ajo loja me top, kur gjuhet me top me të pavërteta me njëri-tjetrin, sa që çfarëdo lloj gjëje që ju thoni është kaq e tmerrshme dhe ju kujtoni se populli rri në televizor t’ju dëgjojë gënjeshtrat tuaja. Populli është në punë bashkë me ministrat”, tha Gogu.
