Kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat pasi u paraqit mesditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
“Mos u shqetësoni, asgjë nuk ka lidhje me mua”, tha ai, duke iu referuar çështjes për të cilën ishte thirrur.
Më tej ai shtoi se “siç ka thënë edhe Erioni, kolegët pyesin edhe për gjëra që s’kanë lidhje me ne”, duke iu referuar deklaratave të hershme të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas një paraqitjeje në SPAK.
Burime bëjnë me dije se Doshi është thirrur për të dhënë shpjegime në lidhje me një çështje që lidhet me procesin zgjedhor, pas dyshimeve për komunikime të tij me një kryebashkiak gjatë fushatës.
Kujtojmë se Tom Doshi është paraqitur në SPAK edhe disa muaj më parë, më 24 shkurt të këtij viti.
Aso kohë pas daljes nga SPAK, Tom Doshi tha se u pyet për zgjedhjet në Rrogozhinë në 2023, duke shpjeguar se një nga personat që ka takuar gjatë një takimi elektoral ka qenë në përgjim nga SPAK.