Tokë tjetër me 4 mijë m2 e tjetërsuar në Brukë të Bërxullës, Ymer Marku e regjistroi në emër të hidraulikut të komunës

Një hetim i nisur nga prokuroria e Tiranës, ka nxjerë në dritë detaje të reja mbi skemën e tjetërsimit të pronave në zonën e ish-komunës Bërxullë dhe fshatrat rreth saj.

Në krye të kësaj skeme të vjedhjes së pronave shtetëror dhe banorëve të zonës, përmes falsifikimit të AMTP-ve, qëndron ish-kryetari i komunës Bërxullë, Ymer Marku dhe disa punonjës së kësaj komune që kanë ndërvepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Sipas Ora News, veç tre dosjeve abusive ku dyshohet se është tjetërsuar një sipërfaqe toke prej 7500 metra katror, 10.800 metra katror dhe 10.000 metra katror, tashmë një dosje Nr.4 është në verifikim e sipër nga grupi i hetimit në prokurorinë e Tiranës.

Bëhet fjalë për një pronë me një sipërfaqe prej 4 mijë metra katror që ndodhet në fshatin Brukë të ish-komunës Bërxullë.

Dokumentat e skuestruara nga prokuroria e Tiranës tregojnë se kjo sipërfaqe është në pronësi të shtetasit Arben Tafa, i cili ka dyshime të forta se nuk është pronari real i kësaj pasurie të paluajtshme.

Në kohën kur është rregjistruar dhe janë kryer dokumentat e kësaj prone, rezulton se Arben Tafa, ishte i punësuar si hidraulik pranë ish-komunës së Bërxullës.

Burimet pranë prokurorisë thanë se Tafa ka punuar së bashku me Kujtim Markun, i cili është djali i xhaxhait të Ymer Markut, ish-kryekomunarit të Bërxullës që aktualisht ndodhet në burg pas një vendimi arresti të lëshuar nga prokuroria e Tiranës.

Lidhur me rregjistrimin në hipotekë të kësaj prone prej 4 mijë metra katror, në prokurori ka shfaqur shqetësim dhe Arben Tafa, i cili edhe pse rezulton pronari i tokës, nuk ka asnjë document historik që të provojë origjinën e kësaj pasurie të paluajtshme.

Rasti në fjalë po ndiqet nga një grup hetimor që është ngritur në prokurorinë e Tiranës, ku deri në këtë fazë në pranga kanë përfunduar Ymer Marku, ish-kryeplaku Agim Loci dhe ish- Përgjegjësi i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, Kujtim Balliu,pasi kishin falsifikuar dokumentet dhe në shpërdorim të detyrës kishin tjetërsuar sipërfaqen e tokës duke ia kaluar të arrestuarit të katërt, Kujtim Allmeta.

Për shkak se abuzimet me pronat shtrihen në sipërfaqe toke që ndodhen në disa fshatra të ish-komunës Bërxullë, prokuroria e Tiranës ka bërë dhe një listë personash që do thiren si dëshmitarë në këtë process hetimor.

Mes personave që do thiren në vijim apo janë thirur gjatë kësaj kohe hetimore, janë Arbër Abazaj, Dali Cejku, Tahir Cena, gruaja e këtij të fundit Fidarie Cena, Driton Cena, Florjan Cena, Ismail Cena, Agron Marku, Gazmend Cena, vëllai i Ymerit, Sokol Marku, shoferi i këtij të fundit Arjol Bici, topografi i komunës Bërxullë Sakip Domi, hidrauliku i komunës, Arben Tafa, shoku i ngushtë i Ymer Markut, Vath Muka, Mersim Murati, i cili ka qënë ish-punonjës i komunës Bërxullë.

Pjesë e grupit që kanë shërbyer si fasadë për të kryer tjetërsimin dhe rregjistrimin e pronave në zonën e Bërxullës, besohet se kanë shërbyer Muharrem Muça dhe Xhaf Sefo, të cilët tashmë janë ndarë nga jeta.

Paralelisht me hetimin për të provuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, ndaj Ymer Markut dhe personave të tjerë ka nisur dhe një hetim pasuror, ku deri në këtë fazë ish-zyrtarit të komunës Bërxullë i janë zbuluar dy apartamente të padeklaruar dhe pritet që në ditët në vijim prokuroria të kërkojë sekuestrimin e tyre në gjykatë.


Shtuar 6.05.2024 15:25