Tjetërsimi i tokave në Livadh/ Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për ish-kryebashkiakun Jorgo Goro

Nuk ka asnjë ndryshim verdikti për ish-kryebashkiakun e Himarës, në lidhje me dosjen penale të tjetërsimit të tokave në Livadhe.

Apeli ka lënë sot (25 mars) në fuqi vendimin e shkallës së parë të GJKKO, për dënimin me 2 vite burg të Jorgo Goros. Ky i fundit, fitoi lirinë më 29 gusht të vitit që lamë pas.

Ai u dënua me 2 vite burg për tjetërsimin e një prone në plazhin e Livadhit, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai vuajti 1 vit e 4 muaj heqje lirie.

Dënimi ndaj tij parashikoi po ashtu edhe heqjen e të drejtës për të mbajtur funksione publike për 5 vite.

Jorgo Goro, u akuzua nga SPAK për shpërdorim detyre, vepër e kryer në mënyrë të përsëritur, në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqeje toke në Livadhe, në Bashkinë e Himarës.

GJKKO e dënoi më 30 korrik 2025 me 2 vite burg, e për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi ulje dënimi në 1 vit e 4 muaj për t`u liruar më pas më 29 gusht 2025.

Goro u kallëzua nga Fredi Beleri me pretendimin se i ka dhuruar në vitin 2016 pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos 4263 metra sipërfaqe toke.

Ish-kryebashkiaku u dënua pasi përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara, duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore pronë shtet, në favor të Stavri Mëhillit, në kërkim.

Pas kësaj procedure, toka u shit te një shoqëri private me përfaqësues ish-deputetin Artan Gaçin.

Në total përllogaritet rreth 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, për të cilën GJKKO vendosi konfiskimin për llogari të shtetit.

Gjithashtu, gjykata konfiskoi edhe apartamentin rreth 81 m katrorë që ishte në emër të biznesmenit Gentian Sula si pronë e fshehur e ish-kryebashkiakut.

Jorgo Goro, ka edhe një tjetër dosje penale në ngarkim, për tjetërsimin e një toke në Livadhe të Himarës.


Shtuar 25.03.2026 13:44