Tjetërsimi i pronës, GJKKO dënon me 2 vite burg Jorgo Goron

Ditën e sotme, GJKKO ka dënuar me 2 vite burg, ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 1 vit e 4 muaj heqje lirie.

Gjithashtu, Goro është dënuar me 5 vite ndalim për të mbajtur funksione publike.

Ndërkohë, GJKKO ka dënuar edhe Vasillaq Strakoshën me 1 vit e 6 muaj burg. Pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë vetëm 1 vit heqje lirie, i pezulluar për një periudhë 2-vjeçare shërbimi prove. Edhe për Strakoshën, gjykata vendosi ndalim për 5 vite nga funksionet publike.

Jorgo Goro, shpallet fajtor për veprën penale “shpërdorim detyre” në bashkëpunim me ish-drejtorin e tokës dhe menaxhimit të pronës në Bashkinë Himarë, Vasillaq Strakosha, i cili është gjithashtu i pandehur në këtë çështje.

Prej marsit të vitit të kaluar Jorgo Goro, ndodhet në burg pasi akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë në favor të privatëve, pasuri që aktualisht janë në zotërim të një shoqërie të Artan Gaçit, bashkëshortit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka fituar statusin e investitorit strategjik.

Dosja është ngritur pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili pretendon se në vitin 2016, Goro ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 m² tokë, duke ia kaluar atë Arqile Bollanos, i komanduar si pasues në krye të Bashkisë Himarë.


Shtuar 30.07.2025 13:00