Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 5 të arrestuarit, të cilët akuzohen për tjetërsimin e 151 mijë m2 tokë në Durrës.
Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, Gjykata e Durrësit la në qeli 5 të arrestuarit për tjetërsimin e 151 mijë m2 tokë në Durrës.
Ish-kreu i Kadastrës Leonard Kadrimi, ish-kandidati i PS-së në Durrës, Ardit Kërtusha, si dhe shtetasit Gjovalin Ndoci, Lirim Xhameta dhe Dashnor Taulla dolën para gjykatës, me kërkesën për masa më të buta sigurie, por gjyqtari Paulin Çera, pasi verifikoi dhe konstatoi respektimin e kushteve dhe kritereve për zbatimin e masës shtrënguese arrest në burg, për të pestë këta shtetas, vendosi që ata të mbeten në të njëjtën masë sigurie të vendosur nga kjo gjykatë paraprakisht më 11 prill.
Urdhrat për ekzekutimin e tyre u bënë nga policia e Durrësit gjatë operacionit të koduar “Tjetërsimi”.
Në kuadër të të njëjtit hetim janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të tjerë, ndërsa në masën e sigurisë detyrim paraqitjeje pranë policisë gjyqësore është caktuar nga gjykata e Durrësit me kërkesë të prokurorisë dhe për 9 shtetas të tjerë./albeu.com