Tjetër investitor strategjik në Jug, “Gjikuria” përfiton 9 mijë m2 tokë për 1 €

Këshilli i Ministrave ka vendosur të heqë dorë nga 9 mijë metra katrorë tokë në brigjet e fshatit Dhërmi dhe Gjilekë për t’ia dhënë në përdorim ndërtimit të një tjetër resorti në Jug.

Kompania ‘Gjikuria’ ka arritur të marrë disa muaj më parë statusin e Investitorit strategjik për projektin “White Roads Hotel”.

Të lidhura

None found

Përgjatë 12 mijë metrave do të ndërtohen 150 njësi banimi, duke përfshirë një hotel, bare dhe restorante.

Në total vlera e investimit të projektit është 10 milionë euro.

Investitori ka në pronësi të tij 3000 m2, ndërsa shteti do t’i japë në përdorim me qira afatgjatë 9 mijë metra kundrejt tarifës simbolike 1 euro.

Qeveria nuk ka miratuar të plotë kërkesën e investitorit për të shfrytëzuar për 30 vjet plazhin përballë kompleksit.

Vetë Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar me kusht këtë pikë, pasi duhet që koordinatat e zonës të përcaktohen qartë nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura pasi ndodhen në kufi të Monumentit Natyror “Delta e Përroit të Palasës”.

Kompania ‘Gjikuria’ përfitoi në shkurt të vitit të kaluar lejen dhe statusin strategjik për një tjetër projekt përgjatë zonës Perivolo në Dhërmi për ndërtimin e 3 hoteleve, vilave dhe rinovimin e 40 shtëpive.

Në total janë 30 projekte në fushën e turizmit që kanë marrë statusin e investitorit strategjik, shumica e të cilave kanë si vendndodhje brigjet e detit Jon./Euronews