‘Tiranës i duhet një shërbëtor i qytetarëve’/ Binaj: Të bashkohemi për qytetin që duam tu lëmë fëmijëve tanë

Kandidati i pavarur por i mbështetur nga të gjitha partitë opozitare, Florjan Binaj ka shpërndarë një tjetër mesazh për qytetarët e kryeqytetit. Në postimin e tij në Facebook, Binaj thekson se po kandidon që fëmijët të rriten duke ndërtuar kujtime, jo të rriten duke parë ndërtime.

Ai shton se me punën, aktivizmin dhe humorin e tij ka ngritur gjithmonë zërin kundër padrejtësive dhe në mbrojtje të njerëzve që kanë vërtetë nevojë. Në përfundim, Binaj u bën thirrje qytetarëve të bashkohen për një Tiranë më të jetueshme

“Shumë vetë më pyesin, pse po kandidon? Po kandidoj për fëmijët tanë, për fëmijët tuaj, për këtë qytet. Po kandidoj që fëmijët tanë të rriten duke ndëtuar kujtime, jo të rriten duke parë ndërtime. Unë e jetoj Tiranën si të gjithë ne, me bashkëshorten time, me 3 fëmijët tanë, në një pallat të vjetër, në një apartament të vogël, por që është i ngrohtë dhe plot dashuri. Me punën, aktivizmin dhe humorin tim, kam ngritur gjithmonë kundër të keqes, kam dalë gjithmonë në mbrojtje të atyre që kanë vërtetë nevojë. Një Tiranë e pashëndetshme nuk mund të prodhojë qytetar të shëndetshëm dhe në krye të Bashkisë Tiranë, nuk duhet një shërbëtor i partisë por një shërbëtor i qytetarëve, por sot duhet të veprojmë të gjithë bashkë. Prandaj unë ju ftoj që të bashkohemi, për ta kthyer Tiranën, në qytetin që duam t’i lëmë fëmijëve tanë,” thotë Binaj.


Shtuar 26.10.2025 20:27