Tirana 1-1 Partizani, bardheblutë “agjerojnë” prej 14 muajsh në derbi

Tirana dhe Partizani barazuan 1-1 në derbin e 172 të kryeqytetit në “Air Albania”.

Sfida nisi me tetë minuta vonesë dhe për këtë u kujdesën tifozeritë, që ndezën një arsenal të vërtetë flakadanësh, me tymin që u bë pengesë për fillimin normal të sfidës. Pas fërshëllimës së parë, Tirana kontrolloi lojën dhe pati disa raste.

Ishte Florent Hasani që në minutën e 28-të kaloi bardheblutë në epërsi, duke dërguar pjesën bardheblu të stadiumit në festë. Më pas, në minutat 32 dhe 34 kishte tension, me tifozët që u bënë protagonistë duke hedhur sende të forta në fushë.

Të lënduar mbetën Najdovski dhe Qirko, teksa arbitri Juxhin Xhaja ftoi dy kapitenët për të folur me ultrasit, duke dhënë sinjalin se nëse situata vijonte do detyrohet të ndërpriste sfidën. Pas vijimit të lojës dhe me shtatë minuta shtesë, pjesa e parë u mbyll 1-0 për bardheblutë.

Fraksioni i dytë nisi me grintë, teksa sërish bardheblutë e filluan mirë. Latifi humbi një rast të pabesueshëm te Tirana. Në vijimin e lojës dhe konkretisht në të 69 minutë Doka dhe Rrapaj u përplasën mes tyre, me sherrin që përfshiu kampet. Vetëm të verdhë për dy lojtarët.


Shtuar 3.12.2023 21:27