TIMS u shkatërrua, Berisha: Janë zhdukur gjurmët e 54 udhëtimeve të Ballës me trafikantë

Sali Berisha, Kreu i Partisë Demokratike thotë se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më parë më e pasigurt sa ç’është sot.

Gjatë fjalës së tij në Gjirokastër, Berisha foli për sulmet kibernetike iraniane që kanë goditur vendin tonë që prej 15 korrikut.

Ai tha se hakërrimi i sistemit TIMS ka zhdukur të gjitha gjurmët e udhëtimit të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Sipas Berishës Balla ka udhëtuar 54 herë me trafikantët.

“Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka qenë më e pasigurt se këto ditë. Vetëm shkatërrimi i sistemit të TIMS dhe MEMEX. Qëllimi ishte te zhdukeshin gjurmët e lidhjes së qeverisë me trafikantët. Të zhdukeshin gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me trafikantë. Një polic që ishte një lloj pengese, u largua në mënyrën më mafioze nga detyra e tij. Shqiptarët nuk morën vesh asnjë argument se pse kryepolici i vendit u largua nga detyra, përveç lidhjeve të Çuçit me Ramën. Përveç rënies së tij në hekurin e nxehtë. Ndaj dënoj me ashpërsi këtë akt. Dënoj qëndrimin, fshehjen që bën Edi Rama, Bledi Çuçi. Ka çuar tani një zëdhënës të vetin, se atë shefin e SHISH e dërgoi për shkollim, se paska qenë pa shkollë ky Helidoni, dhe çoi këshilltarin e tij që nuk është marrë kurrë me shërbimet inteligjente. Pra, ka shtrirë tërësisht kontrollin ne çdo qelizë. Siguria është më në rrezik se asnjëherë. Shkalla e papërgjegjëshmërisë së tij është më e madhe se çdo herë. Pas çdo firme që vendos është një vjedhje e re. Pas çdo ligji që sjell në parlament, ka një grup interesi”, tha Berisha.

Shtuar 7.10.2022 13:46