Në kuadër të operacionit policor të koduar “The thief”, një person është vënë në pranga në kryeqytet, pasi rezulton autor i disa vjedhjeve. 34-vjeçari me iniciale G. Z., thyente xhamat e makinave dhe ndërtesave, për të marrë më pas sende me vlerë.
Në pranga u vu edhe një 48-vjeçar, pasi blinte nga 34-vjeçari materialet e vjedhura.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas denoncimeve nga disa drejtues automjetesh/subjekte, për vjedhjen e materialeve dhe sendeve të një vlere të konsiderueshme nga automjetet e tyre apo subjekte, pas thyerjes së xhamave, bazuar dhe në informacionet e marrë në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “The thief”.
Në kuadër të operacionit, u kapën dhe u arrestuan shtetasit G. Z., 34 vjeç, banues në Tiranë dhe G. C., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi G. Z, në muajt korrik, tetor dhe nëntor ka vjedhur materiale dhe sende të ndryshme në 5 automjete dhe 1 subjekt që iu ka thyer xhamat, në lagje të ndryshme, të cilat më pas ja shiste shtetasit G. C.
Gjithashtu, shtetasi G. Z, në datat 20.11.2025 dhe 29.11.2025, ka vjedhur 2 biçikleta.
Gjatë kontrollit të banesës së 48-vjeçarit, shërbimet e Policisë e sekuestruan disa prej materialeve të vjedhura. Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer nga 34-vjeçari”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
