Familja e 23-vjeçares Erietta prej disa ditësh është në ankth, pasi nuk dihet asgjë për studenten e arkitekturës pas përplasjes së dhunshme të trenave në Tempi.
Deri më tani janë identifikuar 56 viktima dhe vetëm një rast me material biologjik, i marrë nga një i afërm i Erietës, nuk është përputhur.
Sipas shefit të shërbimit mjeko-ligjor në Larisa, Rubini Leontari, shërbimi nuk ka asnjë provë.
“Temperatura e zhvilluar, sipas informacioneve të Zjarrfikësve, në pikën ku ka shpërthyer flaka ka qenë rreth 1000-1100 gradë Celsius. Pra mund ta kuptoni që kushdo që është gjetur në atë pikë mund të mos gjendet”, tha kreu i shërbimit mjekoligjor duke folur për OPEN.
24 orë më parë dhe pas një ankese nga familja, zonja Leontari theksoi: “Deri më tani nuk kemi një trup që korrespondon me ADN-në e familjes. Nëse ai do të ndodhej në qendrën e zjarrit është e qartë se nuk mund të gjendej”.
23-vjeçarja Erietta
Prindërit e 23-vjeçares Erietta, studente nga Greqia e Veriut, ndodhen në një situatë dramatike.
Prindërit e vajzës së re që në momentin e parë janë nisur drejt Larisës dhe prej atëherë e deri më sot po tentojnë të gjejnë gjurmët e saj si në spital ashtu edhe në vendin e tragjedisë.
Megjithatë, deri më tani askush nuk mund t’u japë atyre ndonjë informacion për fëmijën e tyre.
Një mik i studentes së zhdukur duke folur për Star deklaroi se Erieta ishte në vagonin 2.
Analiza e ADN-së përfundoi
Ndërkohë, pasditen e së mërkurës, laboratorët e mjekësisë ligjore të Policisë Helenike përfunduan analizat laboratorike të mostrave të dhëna nga familjarët e viktimave të tragjedisë në Tempi.
“U identifikuan gjithsej 56 persona të vdekur, të cilat rezultuan nga analiza krahasuese e 58 materialeve biologjike të marra nga familjarët e viktimave apo sendet e tyre personale, si dhe 108 mostra të marra nga kufomat apo pjesët e trupit”, thekson selia e ELAS-it në njoftimin e saj./Albeu.com/