Thirrjet antishqiptare/ Reagon Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Jemi të turpëruar

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka thënë se populli maqedonas është i turpëruar nga thirrjet fashiste ndaj shqiptarëve, nga tifozët në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në fundjavë në qytetin e Kumanovës.

Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, që ndodh për të kush e di të satën herë, me të drejtë nuk ndalen reagimet ndaj incidentit të tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por në fakt, na goditën të gjithëve, madje edhe vetveten, dhe sërish jemi të turpëruar”, ka shkruar ajo në Facebook.

Siljanovska Davkova, shprehet se Maqedonia nuk do të lejojë më që arenat sportive të kthehen në “arena tifozësh gladiatorësh”.

Sipas presidentes maqedonase, mësimi i parë se “si të brohorasësh” mësohet në shtëpi e më pas në shkolla.

Ajo ka thënë se shteti duhet t’u kundërvihet urrejtjes së tifozëve dhe të mësojë se si të brohorasin.

Sipas saj, Maqedonia e Veriut, ka nevojë për “një alfabet të brohoritjes si kënaqësi sportive”.

“Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, janë disa nga parullat e kënduara nga tifozët vendas, thirrje të lidhura me retorikën naziste të shfarosjes. Thirrjet u bënë në praninë e kryeministrit maqedonas e zyrtarëve të lartë shtetërorë.