Prindërit e Genti Isait, 32-vjeçarit që ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në Kolonjë, pasi gjatë ditës kishte pasur probleme me dhëmballën dhe kishte marrë mjekim për të, kanë rrëfyer momentet e fundit të të birit.
Të përlotur Dashamir dhe Shega Isai tregojnë se djali i tyre nuk kishte pasur kurrë probleme shëndetësore më parë dhe vetëm ditët e fundit kishte filluar të ankohej për dhimbjen e dhëmbit.
“Djali erdhi nga Erseka. Një ilaç me pluhur e kishte pirë në Erseka ndërsa 3 lloj me kokrra që i kishte marrë më pas i piu në shtëpi, erdhi nga ora 10 nga 10 e 30 i piu. Atë pluhurin që piu në Ersekë ai e kish bërë shpellë, djersë.
Ne dentisti vajti, ia kishte dhënë edhe recetën, Lenci (dentisti) i kishte dhënë recetë dhe pastaj djali vajti në farmaci dhe i mori.
Kishte shqetësime nga dhëmballa dhe koka thoshte më dhemb shumë, ishte buhavitur edhe nga gusha.
Sa erdhi zbriti nga makina dhe e ndërruan se ishte bërë ujë në djersë.
Kur erdha unë nga lopët që ishte ora 15:30-16:00 djali po rrinte në ballkon dhe më foli, ‘hë me mami mbarove andej, mbarove me lopën?’.
Sa hoqa çorapet i hodha dhe bukë qenit, as 5 minuta nuk qëndrova jashtë, kur hyra në kuzhinë unë djali ishte shtrirë aty.
Thirr o Genti o Genti e fërkova nga duart, ishte bërë akull djali nga duart, as mu përgjigj asgjë. Pastaj ngrita kujën, dola u thirra komshinjve aty ta merrnin djalin ta shpinin në Ersekë se thashë mbase nuk është aq keq.
Lajmëruan nja dy djem ambulancën, e nxorën me makinë dhe rrugës e kishin gjetur ambulancën.
Lindi djali qëkur ishte fëmijë dhe derisa u bë 35 vjet djalë, nuk ishte shtruar një herë në spital, s’kishte bërë asnjë gjilpërë në trup, nuk ankohej për gjë edhe gripërat atë rrallë e zinin.
Djali të mërkurën ishte edhe në punë, por nuk e kishte kaq saç e kishte dje të ënjtur, ne i thoshim ik në Ersekë mos hajde në shpi, shko vizitohu.
Ne kërkojmë të zbardhet e drejta e djalit”, tha nëna e 32-vjeçarit.
Babai i djalit tha se i biri vajti tek dentisti në Ersekë, mori recetën më pas vajti tek farmacia dhe u kthye në shtëpi, ku menjëherë piu ilaçet.
“Koka i dhembte dhe nga fyti ishte buhavitur (ënjtur) kishte dhe shumë djersë.
Ç’të them unë, ai (djali) vajti ku thanë ata. Nuk di gjë, presim kur të nxjerrin ata rezultat.
Po tani, nuk them dot. Djali nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër. Vetëm nga dhëmballa”, tha i ati./albeu.com