Thellohet tragjedia e Maliqit/ Ndërron jetë pas disa ditësh 6-vjeçarja, nga flakët vdiqën dhe e ëma e vëllai

Një tjetër humbje e rëndë ka tronditur familjen Azizllari në Maliq.

Ditën e sotme ka ndërruar jetë vajza 6-vjeçare, Nefeli Azizllari, e cila prej disa ditësh po luftonte për jetën në QSUT në Tiranë, tek Djegie-Plastika.

E mitura kishte pësuar djegie të rënda në trup nga zjarri që përfshiu banesën e familjes së saj më 19 tetor, në një lagje të qytetit të Maliqit.

Në atë ngjarje tragjike humbën jetën nëna e saj, Merjeme Azizllari (40 vjeç) dhe vëllai 14-vjeçar, Luka Azizllari.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, 6-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra, duke e thelluar edhe më tej tragjedinë që ka goditur familjen dhe komunitetin e Maliqit.


Shtuar 24.10.2025 20:45